Aktualitet
INDONEZIA MARREVESHJE ME SHQIPERINE PER EMIGRANTE
Indonezia po eksploron mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje formale për bashkëpunim në fushën e punësimit me Shqipërinë, në kuadër të përpjekjeve për të zgjeruar tregjet e punës për punëtorët e saj migrantë, raportojnë mediat indoneziane, përfshirë agjencinë shtetërore të lajmeve Antara.
Sipas raportimit, çështja u diskutua gjatë një takimi virtual të zhvilluar më 26 janar mes zëvendës ministres së Mbrojtjes së Punëtorëve Migrantë të Indonezisë, Christina Aryani, dhe ambasadores indoneziane në Bullgari, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, Listiana Operananta.
Duke folur për Antara-n, Aryani theksoi se Indonezia po përgatit një memorandum mirëkuptimi (MoU) të veçantë me Shqipërinë, por paralajmëroi se negociatat do të kërkojnë kushte më të forta, veçanërisht në aspektin e mbrojtjes së punëtorëve migrantë.
“Për Shqipërinë, ne po kërkojmë një MoU më rigoroz, pasi ndjeshmëria ndaj çështjeve të mbrojtjes së punëtorëve migrantë nuk ka qenë optimale”, deklaroi ajo.
Sipas zëvendës ministres, në disa raste të mëparshme që përfshinin punëtorë indonezianë në Shqipëri, autoritetet vendase nuk kanë raportuar në mënyrë pro-aktive problematikat, duke e detyruar ambasadën indoneziane të ndërhyjë drejtpërdrejt.
Kjo, sipas saj, e bën të domosdoshëm vendosjen e mekanizmave më të qartë dhe detyrues në çdo marrëveshje të ardhshme.
Paralelisht me Shqipërinë, Indonezia po zhvillon bisedime edhe me Bullgarinë për një marrëveshje të ngjashme, por theksi i autoriteteve indoneziane mbetet te forcimi i standardeve të mbrojtjes për punëtorët migrantë në vendet pritëse të Ballkanit.