Connect with us

Bota

Murgjit budistë të Kamboxhias: Trump meriton çmimin Nobel për paqen

Murgjit budistë të Kamboxhias kanë dhënë mbështetjen e tyre për nominimin e Donald Trump për çmimin Nobel për paqen. Ata kanë shprehur publikisht mirënjohjen për presidentin amerikan për rolin e tij në ndërmjetësimin e një armëpushimi midis Kamboxhias dhe Tajlandës që i dha fund një konflikti kufitar që u përshkallëzua në fund të korrikut 2025. Kryeministri i Kamboxhias Hun Manet e ka nominuar tashmë kreun e shtëpisë së bardhë për çmimin Nobel, duke përmendur aftësinë e tij të jashtëzakonshme shtetërore dhe diplomacinë vizionare në shmangien e një konflikti potencialisht shkatërrues. Në momentin që Manet njoftoi nominimin, pas tij qëndronin murgjit që shprehën mbështetjen e tyre.
Kamboxhia dhe Tajlanda patën pesë ditë konflikt që vrau të paktën 43 persona muajin e kaluar. Më shumë se 300,000 u zhvendosën nga konflikti që përshkallëzoi nga përdorimi i armëve të vogla te artilerisë e rëndë.
Donald Trump nuk i ka fshehur ambiciet e tij për çmimin Nobel për paqen, duke përmendur konfliktet që ka zgjidhur në fillim të mandatit të tij të dytë, duke filluar nga lufta mes Iranit dhe Izraelit, te Pakistani dhe India e gjithashtu Kamboxhia e Tajlanda dhe Azerbajxhani dhe Armenia.
Presidenti amerikan ka përmendur gjithashtu përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, si një arsye pse ai duhet ta fitojë çmimin.
Trump është nominuar gjithashtu për Nobelin e paqes edhe nga Izraeli e Pakistani dhe Armenia po mendon të bëjë të njëjtën lëvizje.

Advertisement