Kosova
Murphy i tregon kufijtë Serbisë
Senatori amerikan Chris Murphy tha në Prishtinë se Serbia duhet të ndalojë së penguari Kosovën që t’i bashkohet organizatave ndërkombëtare.
Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, duke iu drejtuar mediave, senatori tha se janë të kënaqur që kanë parë marrëveshjen e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila nënkupton njohje reciproke të dokumenteve zyrtare, por edhe janë të ndërgjgjshëm për hapat e vështirë që duhet të hedhin të dyja palët.
Duke folur për marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga Brukseli dhe Ohri, Murphy tha se me këtë marrëveshje Kosova u zotua që të lejojë formimin e një Bashkësie të Komunave me shumicë serbe dhe theksoi se shpreson që ky komunitet të krijohet “sa më shpejt. sa më shumë të jetë e mundur”.
Kujtojmë se Serbia në prill votoi kundër kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pavarësisht se Marrëveshja për Normalizim kishte marrë përsipër që të mos paraqiste pengesa të tilla.