Connect with us

Bota

Musk i thur elozhe ‘paqebërësit’ Trump

“Merita i takon kujt i takon”.

Kështu ka shkruar miliarderi Elon Musk në një postim në X, referuar njoftimit të Presidentit amerikan Donald Trump për arritjen e një dakordësie për kushtet e armëpushimit në Gaza.

“Donald Trump ka zgjidhur me sukses disa konflikte serioze në të gjithë botën”, ka shkruar ai, duke e bashkëshoqëruar shkrimin me postimin e Trump.

Një lëvizje e habitshme kjo e Musk pas ‘grindjeve’ publike mbi projektligjin e “madh dhe të bukur” të Trump për shpenzimet, të cilin Musk e ka kritikuar ashpër dhe që Trump i është kundërpërgjigjur po ashpër.

Por duket se temat e tjera, si paqja, e kthejnë sërish Musk te Trump.

Më herët, Trump ka bërë e dije se Izraeli ka rënë dakord për “kushtet e nevojshme” për të finalizuar një armëpushim 60-ditor në Gaza.

Gjatë marrëveshjes së propozuar, “ne do të punojmë me të gjitha palët për t’i dhënë fund Luftës”, tha Trump në një postim në Truth Social, pa detajuar se cilat janë kushtet.

“Katarianët dhe egjiptianët, të cilët kanë punuar shumë për të ndihmuar në sjelljen e paqes, do të paraqesin këtë propozim përfundimtar. Shpresoj… që Hamasi ta pranojë këtë marrëveshje, sepse nuk do të përmirësohet – vetëm sa do të përkeqësohet”, shkroi Trump.

Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon, tha se Izraeli ishte “absolutisht” gati për një armëpushim, por nuk ishte menjëherë e qartë nëse Hamasi do t’i pranonte kushtet e marrëveshjes së propozuar.

Njoftimi i Trump vjen përpara një takimi me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të planifikuar për javën e ardhshme, në të cilin presidenti amerikan ka thënë se do të jetë “shumë i vendosur”.

Presidenti amerikan tha të martën se besonte që Netanyahu donte t’i jepte fund armiqësive në Gaza.

“Ai dëshiron. Mund t’ju them se dëshiron. Mendoj se do të kemi një marrëveshje javën tjetër”, shtoi Trump.

Të martën, Ministri i Çështjeve Strategjike të Izraelit, Ron Dermer, do të takohej me të dërguarin special të SHBA-ve në Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Marco Rubio dhe Zëvendëspresidentin JD Vance në Washington.

Duke folur për BBC, Danon tha se Hamasi po “luante fort”.

“Ne po ushtrojmë presion mbi Hamasin dhe nëse ata nuk do të ulen në tryezën e bisedimeve, e vetmja mundësi që do të kemi për të rikthyer pengjet është të ushtrojmë më shumë presion ushtarak”, tha Danon.

“Lufta do të përfundojë kur pengjet të jenë kthyer në shtëpi”, shtoi ai.

Rreth 50 pengje izraelite janë ende në Gaza, të paktën 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë.

Advertisement