Kosova
Muzikë franceze në selinë e qeverisë Kurti, asociacioni në kushtetuese
Ambasada e Francës në Prishtinë ka thënë se Parisi zyrtar rekomandon që Qeveria e Kosovës të dorëzojë Draft-Statutin për Asociacionin në Gjykatë Kushtetuese, në një mënyrë e cila do të jetë e përshtatshme për antaresimin në KiE.
Sipas ambasadës, Statuti ka përkrahjen e plotë të vendeve që mbështesin dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe theksoi se Drafti i BE-së deri tani paraqet bazën më të mirë dhe të vetme për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Dërgimi i Draftit në Gjykatë Kushtetuese për interpretim, sipas Ambasadës së Francës, do jepte një sinjal të fortë të përkushtimit të Kosovës për ta themeluar atë dhe do të tregonte përkushtimin e Kosovës për të drejtat e pakicave, si një prej shtyllave të Këshillit të Evropës dhe në të njëjtën kohë do të një hap i mirëpritur për të siguruar përkrahje në rrugën drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës.
Të njëjtin qëndrim për rrugën e anëtarësimit në Këshill të Evropës e kanë edhe Gjermania dhe Italia. Edhe emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se SHBA s’ka votë në Këshill, por që Asociacioni dhe anëtarësimi në KiE janë të ndërlidhura.
Kryeministri Albin Kurti në një paraqitje nga mbledhja e Qeverisë së Kosovës e ka konsideruar si absurd kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me themelimin e Asociacionit. Për më tepër, Kurti ka thënë se Draft Statuti i BE-së s’është dokument por vetëm një “non-paper”, meqë i njëjti s’është pranuar në takimin e dhjetorit që të nënshkruhet në kuadër të pakos ku përfshihet edhe Marrëveshja për Normalizim.