Connect with us

Politike

‘Na kanë shantazhuar’/ Shabani shpërthen: Kemi patur përplasje me Lapajn, s’pyeste për askënd

Kreu i Nismës Thurje, Endrit Shabani, ka akuzuar ashpër ish-aleatin Adriatik Lapaj në një intervistë, në lidhje me përplasjet paszgjedhore në koalicionin “Shqipëria Bëhet”. Konflikti ka shpërthyer rreth mandatit të vetëm që ky koalicion fitoi në Qarkun e Tiranës, dhe që sot ndodhet në qendër të një përplasjeje politike dhe morale.

Shabani deklaroi se Lapaj kishte premtuar dorëheqjen nëse koalicioni do siguronte vetëm një mandat, por më pas ndryshoi qëndrim disa herë, duke u justifikuar me vendimet e kryesisë.

“Lapaj në fillim tha do japë dorëheqjen, pastaj tha do pyesë kryesinë, më vonë tha se nuk e lejonin të dorëhiqej. Kjo është e njëjta sjellje si klasa e vjetër politike, premtojnë dorëheqje dhe nuk e mbajnë fjalën”, u shpreh Shabani.

 

 

Ai theksoi se një sjellje e tillë minon besimin dhe shkel standardet që ishin zotuar të mbronin. “Si t’i kërkoj unë kandidatëve të listës të mbajnë fjalën, nëse lideri i koalicionit nuk e mban?”, tha ai.

Shabani gjithashtu tha se gjatë fushatës kishte tension mes palëve, pasi anëtarët e Nismës Thurje ishin ndjerë të përjashtuar nga vendimmarrja. “Lapaj vendoste kush flet, si flet, për gjithçka. S’pyeste për askënd”, deklaroi ai.

Ai deklaroi se ka pasur edhe shantazhe, që sipas Shabanit kanë ardhur nga njerëz të afërt me Lapajn, përfshirë një kushëri të tij, Aranit Rexhepaj.

“Na kanë marrë në telefon dhe kanë thënë: ‘Tërhiqu me të mirë se ka edhe me pahir. Kam investuar për lëvizjen, jemi shumë dhe nuk e lëmë me kaq’”, tha Shabani, duke shtuar se janë kërcënuar edhe fëmijët e një prej kandidatëve të listës, Zeqir Kordhoni.

Pavarësisht akuzave, Shabani tha se ka kërkuar në KQZ që mandati t’i kalojë Lapajt, duke njohur dorëheqjet e mëparshme në listë. Sipas tij, Lapaj tashmë ka braktisur “metodat primitive të presionit” dhe është rikthyer në rrugën ligjore, gjë që Shabani e vlerëson si hap pozitiv.

Advertisement