Politike
“Na sollën me qejf dhe pa qejf”/ Bardhi për vizitën e Ramës në Athinë: Punonjës të importuar me detyrim
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar lidhur takimin e kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë një ditë më parë në Athinë.
Reagimin e tij, Bardhi e ka shoqëruar me një video të publikuar nga emisioni investigativ “Piranjat”, ku një nga pjesmarrësit në takim, konkretisht drejtori i teatrit “Bylis” të Fierit, Klajdi Marku, e ka shprehur hapur pakënaqësinë e prezencës së tij aty.
Kreu i grupit demokrat shkruan se ajo video është sipas tij dëshmi rastësore “për të kuptuar se deri ku arrin Edi Rama në keqpërdorimin e burimeve shtetërore për zgjedhje apo veprimtari politike.” Ai e ka cilësuar vizitën e Ramës si takim politik me punonjës të administratës të importuar me detyrim në Athinë, ndërsa shtoi se kjo duhet “të zgjojë nga gjumi” menjëherë organin e prokurorisë.
REAGIMI I PLOTË I BARDHIT:
Edi Rama është armik i votës së lirë dhe për këtë as nuk fshihet dhe as nuk turpërohet. Mjafton kjo dëshmi rastësore për të kuptuar se deri ku arrin Edi Rama në keqpërdorimin e burimeve shtetërore për zgjedhje apo veprimtari politike.
Pas detyrimit për anëtarësim në Partinë Socialiste të të gjithë punonjësve të administratës shtetërore, keqpërdorimi ka rritur kulmin përmes detyrimit të tyre për të marrë pjesë në një veprimtari politike të Edi Ramës, që ishte shpallur si takim me bashkëqytetarët tanë që jetojnë në Greqi, dhe përfundoi në një takim me punonjës të administratës shtetërore të imoportuar me detyrim nga Shqipëria për në Athinë.
Nëse Edi Rama i intimidon punonjësit e administratës shtetërore që jashtë vullnetit të tyre të shkojnë deri në Athinë për takime politike, secili qytetar shqiptar duhet të imagjinojë vetë se deri ku shkon presioni dhe keqpërdorimi gjatë fushatës zgjedhore apo imponimit të votës brenda vendit.
Ajo që ka ndodhur me takimin në Athinë, ku punonjës të administratës shtetërore u importuan nga Shqipëria për të mbushur sallën një takim politik të Edi Ramës, duhet të zgjojë nga gjumi menjëherë organin e prokurorisë. Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore është krim dhe dënohet sipas nenit 328/a të Kodit Penal. Është koha për të vepruar tani dhe pa asnjë vonesë, ndryshe zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë në rrezik.
Apeli im shkon edhe për faktorin ndërkombëtar, veçanërisht Komisionin Europian, për të nxitur përmbylljen në kohë të Reformës Zgjedhore, ku duhet të adresohen rekomandimet e OSBE-ODIHR lidhur me keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe shkrirjen e shtetit dhe partisë në një të vetme gjatë zgjedhjeve. Kjo minon jo vetëm demokracinë, por vendos në pikëpyetje vetë stabilitetin e vendit dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. Mungesa e barazisë në zgjedhje dhe favorizimi shtetëror i partisë në pushtet, paracakton rezultatin zgjedhor dhe garën e ndershme mes palëve.
Është momenti që në vitin 2025 Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për anëtar të BE, të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndryshe instalimi i partisë-shtet do të jetë i pakthyeshëm!