Kronike
‘Na therën me thikë’/ Si dy shqiptarët i kërkuan ndihmë efektivëve në Itali
Ata kishin tmerr në sy. Me duar mbanin gjoksin dhe krahët, sikur donin të fshihnin njëri-tjetrin. Sapo e panë furgonin e Policisë iu afruan dhe u kërkuan ndihmën në italisht: Na therën me thikë! Këto janë fjalët e dy burrave që dukej se i kishin shpëtuar vrasjes, por për fat të keq Van Koxha nuk iu mbijetoi dot plagëve të marra. Sipas mediave italiane, teksa ishin në furgonin e Policisë, dy vëllezërit Koxha treguan edhe vendin e ngjarjes me gisht dhe autorët, pranë një lokali.
Ndërsa një polic po kujdesej për të plagosurit, të tjerët ndoqën i rrëzuan dhe i çarmatosën autorët e dyshuar. Njëri prej të arrestuarve kishte me vete një thikë që e hodhu. Tehu i gjetur, nuk kishte gjurmë gjaku, por mendohet se me të do të qëllonte vëllezërit shqiptarë. Personat e ndaluar nga policia janë dy maqedonas. Ndoshta jo të vetmit e përfshirë. Dy persona të tjerë, po ashtu maqedonas, u arratisën me një makinë.
Nga të plagosurit dhe të arrestuarit janë marrë telefonat dhe po përkthehen mesazhet që kanë dërguar me njëri-tjetrin.
Si ndodhi ngjarja?
Autorët po e prisnin në rrugë 40-vjeçarin, të cilin e goditën me thikë për vdekje. Koxha ishte në shoqërinë e vëllait të tij kur ndodhi ngjarja. I vëllai mbeti i plagosur lehtë. Krimi ndodhi në një nga të ashtuquajturat “zonat e trafikut të drogës” të Marghera, zonë e cila është shpeshherë skenë e episodeve të dhunshme dhe denoncimeve të vazhdueshme nga banorët në polici për shkak të situatave të degradimit. Në këtë rast, sipas hetuesve, bëhet fjalë për larje hesapesh mes autorëve, të cilët janë arrestuar dhe janë me origjinë maqedonase
Policia po heton motivet që çuan në ngjarjen e rëndë, dyshohet se ka lidhje me bastet që vendosen në rrugë, por nuk përjashtohen edhe pistat e tjera. Mesazhet në telefon mund të zbulojnë më shumë detaje.