Shkrime
Nata është e kuqe nga zjarret, horrori vjen vërdallë dhe shteti që fle mbi hirin e tokës së djegur

Nga Sonila Meço
Nata është e kuqe në shumë pjesë të Shqipërisë. Por ajo që po i ndodh Delvinës, mësymja e flakëve brenda në qytet është horror.
Pacientë, që i ngrenë nga shtratet e spitalit për t’i evakuuar, fëmijët që zgjohen nga zhurma e druve që përpihen, banorë që kuturisen mes instiktit të vetmbrojtjes dhe plandosjes në vend kur kuptojnë se gjithçka që kanë ndërtuar, që kanë trashëguar e dashur, mund të zhduket brenda pak orësh.
Kafshët bërtasin, por nuk ka kush t’i nxjerrë nga stalla.
Era mbart hi nëpër frymëmarrje, duke e bërë çdo hap drejt shpëtimit edhe më të rëndë.
Sheh mandej punonjës emergjence, ushtarë, mjekë e infermierë, njerëz me mjete rrethanore dhe të mbyt pamundësia absolute për të bërë diçka, sepse edhe koha, moti e shteti janë në anën e kundërt.
Po, po në të kundërtën dhe nëse kohës e motit u le Zotin, shtetin e ka njeriu.
Dhe njeriu po ia bën njeriut gjëmën. Do na thotë shteti se zjarret ndodhin edhe në Greqi, Amerikë e Spanjë…
posi….patjetër po përvëlohet bota, por ndryshimi është se atje shteti nuk është katalizator i tyre.
Ata kanë shërbime pyjore, menaxhim të mbetjeve, pastrim kullotash, sistem paralajmërimi, flota ajrore dhe personel të trajnuar. Kanë plane për parandalim, jo vetëm për reagim.
Në Shqipëri, politikat e pushtetit absolut kanë shkatërruar mburojat natyrore: shpopullimi ka boshatisur fshatrat, bagëtitë janë përgjysmuar, pyjet janë prerë ose betonuar, ekosistemet janë copëtuar dhe zonat e mbrojtura janë kthyer në resorte.
Atje luftohet kundër klimës që po ngrohet, ndërsa në Shqipëri luftohet edhe kundër vendimeve që e kanë bërë zjarrin të pashmangshëm.
Dhe shteti sërish do na kthehet: po ç’lidhje kanë këto që rreshton o popull mosmirënjohës?
Kanë lidhje posi dhe po e thonë ekspertët më të mirë, që i çaktivizove o shtet i ngratë, duke i zëvendësuar me patronazhistë, se administrata të duhet për vota e jo për shtetndërtim.
Shpopullimi ka boshatisur fshatrat. Kur ikin njerëzit, ikin edhe bagëtitë. Dikur, blegtoria dhe kullotja pastronin hapësirat, mbanin nën kontroll barin e thatë dhe krijonin barriera natyrore ndaj zjarrit. Sot, këto hapësira janë shndërruar në fusha të ngarkuara me lëndë djegëse, gati të shpërthejnë nga shkëndija më e vogël.
Pyjet nuk menaxhohen më, por priten, shiten ose digjen, duke humbur burimin kryesor të lagështisë që ruan tokën nga thatësira. Në vend të gjelbërimit kemi beton dhe asfalt, që rrisin temperaturën lokale dhe përshpejtojnë tharjen e tokës. Në vend të pastrimit të mbetjeve kemi depozitim të tyre në natyrë, ku çdo shishe plastike, çdo qese, çdo mbetje organike bëhet karburant për flakën.
Turizmi me beton ka hyrë në zonat e mbrojtura, duke shkatërruar ekosisteme të tëra: shkurre mbrojtëse, bimësi endemike, habitate kafshësh. Shkatërrimi i ekosistemeve ka prishur ekuilibrat klimatikë brenda vendit: më pak pyje do të thotë më pak lagështi në ajër, më pak reshje dhe më shumë thatësirë. Turizmi masiv në zona të brishta vetëm sa e përshpejton këtë cikël shkatërrimi.
Kur këto politika bashkohen me temperaturat ekstreme, rezultati është ai që na tmerron sot: një vend ku zjarri nuk ka më asnjë pengesë natyrore, ku çdo verë është më e rrezikshme se e mëparshmja dhe ku çdo ndërhyrje është vonë, e pamjaftueshme dhe pa mjetet e duhura.
Edhe avionë zjarrfikës të kishim, me operacione emergjente nuk do shpëtonte vendi. Sepse nuk po luftojmë thjesht me flakët, por me një model zhvillimi që e ka bërë katastrofën të pashmangshme.
Dhe për t’ju kthyer krahasimit që (pu)shteti po e përgatit me spin-ët e vet se këto mënxyra “ndodhin kudo”…po o shtet po, por atje zjarrfikësit kanë avionë, helikopterë, automjete dhe strategji. Ndërsa tek ne, ah të mjerët ne, zjarrfikësit dhe ushtarët nuk luftojnë vetëm me flakët, por luftojnë edhe me boshllëkun!
Shumë bashki kanë një makinë zjarrfikëse të vjetruar, shpesh jashtë funksioni, pa pompa të mjaftueshme, pa rezerva uji dhe pa pajisje mbrojtëse bazë. Në vend të flotës ajrore, kemi borxhe të papaguara për avionë të marrë me qira. Në vend të trajnimit periodik, kemi staf që mëson në mes të tymit. Kjo nuk është thjesht mungesë logjistike, por dështim strukturor me paramendim, që e bën çdo zjarr të zakonshëm të kthehet në katastrofë kombëtare.
Prandaj kur shteti të na thotë nesër se kjo “ndodh kudo”, të jemi të qartë, është si të krahasosh një aksident me një vetëvrasje të mirëmenduar.
Flakët do të fiken një ditë, por nëse nuk ndalojmë shkatërrimin që ky pushtet po i bën vendit, hiri do të mbetet gjendja jonë e përhershme.

