Bota
NATO përgatitet t’i përgjigjet ashpër Moskës/ Financial Times: Nuk përjashtohet reagimi ushtarak
Aleanca Atlantike po shqyrton një reagim më të ashpër ndaj veprimeve gjithnjë e më provokuese të Rusisë, të cilat zyrtarë të lartë i cilësojnë tashmë si pjesë të një “lufte hibride” kundër vendeve të NATO-s.
Sipas Financial Times, aleatët po diskutojnë skenarë që mund të çojnë deri në një përgjigje ushtarake ndaj Kremlinit, nëse provokimet vijojnë.
Ndër masat që po merren në konsideratë janë vendosja e dronëve goditës përgjatë kufirit me Rusinë, heqja e kufizimeve për pilotët e NATO-s për të hapur zjarr ndaj avionëve rusë, si dhe zhvillimi i stërvitjeve ushtarake në afërsi të territorit rus.
Dy zyrtarë të NATO-s kanë bërë të ditur se një nga prioritetet kryesore të menjëhershme është thjeshtimi i rregullave të angazhimit në krahun lindor të aleancës, për t’iu përgjigjur më shpejt çdo provokimi.
Këto diskutime zhvillohen në një moment tensionesh të reja, pas shkeljeve të hapësirës ajrore të Polonisë, Rumanisë dhe Estonisë nga dronë rusë, si edhe ndërprerjeve masive në aeroporte të Belgjikës, Danimarkës dhe Gjermanisë për shkak të dronëve të paidentifikuar.
Në Bruksel, zyrtarët i cilësojnë këto veprime si pjesë të drejtpërdrejtë të luftës hibride të Rusisë kundër Evropës, duke paralajmëruar se NATO është e gatshme të reagojë me “vendosmëri të plotë” ndaj çdo akti që cenon sigurinë e aleatëve.