Kosova
Ndahet nga jeta babai i Salih Mustafës! Ish-komandanti i UÇK-së kërkoi ta takonte, Gjykata Speciale refuzoi
Babai i ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, është ndarë nga jeta mëngjesin e kësaj të enjteje. Mediat në Kosovë bëjnë të ditur se Jahja Mustafa vuante prej kohësh nga probleme serioze shëndetësore.
Për shkak të gjendjes së rënduar të të atit, Salih Mustafa kishte paraqitur një kërkesë pranë Dhomave të Specializuara në Hagë për të marrë leje dhe ta vizitonte, por kjo kërkesë ishte refuzuar.
Pas ndarjes nga jeta të Jahja Mustafës dhe publikimit të faktit se kërkesa për vizitë nuk ishte miratuar, ka ardhur edhe një reagim politik nga Kosova. Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka shprehur kritika të ashpra ndaj Gjykatës Speciale.
Në një reagim në rrjetet sociale, Çitaku ka theksuar se refuzimi për t’i mundësuar Salih Mustafës vizitën tek babai i tij në ditët e fundit të jetës përbën mungesë ndjeshmërie dhe drejtësie, duke e cilësuar këtë veprim si të papranueshëm nga pikëpamja njerëzore dhe morale.
“Baba i Calit ndërroi jetë pa pasur mundësinë që, për herë të fundit, t’ia shtrëngojë dorën të birit. Pa pasur mundësinë ta përqafojë, të çmallet, qoftë edhe për pak çaste, para se të largohej nga kjo botë. Calit iu mohua takimi i fundit me të atin. Kjo nuk është drejtësi. Kjo nuk është njerëzi. Gjykatë e turpshme”, shkruan ajo.
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, u dënua në dhjetor të 2022 nga Gjykata Speciale me seli në Hagë, me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torture ndaj shqiptarëve.