Connect with us

Aktualitet

Ndahet nga jeta farmacisti i njohur shqiptar, Kolec Daja

Nga Albert Vataj
Shuhet ikona e farmaceutikës, Kolec Daja, merr udhën e përjetësisë shërbestari i mirësisë dhe humanitetit
Ajo buzëqeshja e dritshme dhe zëri i butë, prej sot, nuk do të mund të përçojë më hirin e një mirësie të dlirë, përtej sportelit të xhamtë të Farmaci “Daja”.
Burri shtatshkurtër, gjithnjë i veshur me të bardha, me përkujdesin atëror, vështrimin e butë, ka marrë udhën e përjetësisë, duke lënë pas një imazh të gdhendur në dashuri dhe përkujdesje, shembullin e një përkushtimi të shndërruar në mision.
Kolec Daja, një nga figurat më të spikatura dhe më të përkushtuara të farmacisë shqiptare, njeri i mirësisë, i shërbimit dhe i përulësisë njerëzore, i cili për më shumë se pesë dekada i qëndroi besnik një misioni që e konsideronte jo thjesht profesion, por akt dashurie dhe humaniteti, nuk do të jetë më, veçse kujtesë dhe emblemë.
I lindur në Shkodër në vitin 1948, i diplomuar në Fakultetin e Farmacisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1971, Kolec Daja u bë shembull i rrallë përkushtimi në shërbimin ndaj njeriut dhe shëndetit të tij. Nga vitet e para të punës në Pukë, te kontributi në Ministrinë e Shëndetësisë, nga drejtimi i Fu-Farmës deri te themelimi i Farmaci “Daja” në vitin 1997, ai mbeti gjithnjë i palëkundur në parimet e tij: ndershmëri, profesionalizëm dhe dashuri për njeriun.
Me themelimin e farmacisë së tij në Tiranë, z. Daja nuk ngriti thjesht një institucion, por vuri themelet e një tradite të gjallë, ku profesionin e trajtoi si mision dhe pacientin si amanet. Farmaci “Daja” u kthye shpejt në një emër besimi, një pikë orientimi për kolegët dhe një strehë shprese për mijëra pacientë ndër vite.
Ai njihej dhe respektohej veçanërisht për përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e përgatitjeve galenike, ku mjeshtëria e tij kombinohej me kujdesin për secilin pacient, duke krijuar formulime të personalizuara dhe duke ruajtur me rigorozitet standardet më të larta farmaceutike.
Figura e Kolec Dajës nuk ishte vetëm profesionale, por njerëzore deri në thelb. Me thjeshtësinë e tij, me urtësinë që e karakterizonte, ai la pas një trashëgimi që shkon përtej barnave, la një kulturë të shërbimit me shpirt, një filozofi të përkushtimit dhe një shembull që do të frymëzojë për breza të tërë.
Sot ndalojnë hapat e një njeriu që zgjodhi të jetonte për të tjerët, për t’u shërbyer, për të ofruar shpresë dhe shërim. Në heshtjen e kësaj ndarjeje, mbetet i gjallë kujtesa për një jetë me vlerë, për një njeri që nuk pushoi kurrë së dhëni nga vetja për të mirën e të tjerëve.
Pusho në paqe, Kolec Daja. Mirësia jote nuk do të harrohet.
Advertisement