Connect with us

Shkrime

Ndajeni mendjen, Amerika nuk është as me Ramën dhe as me Berishën, është me interesat e saj

Analisti Lorenc Vangjeli tha se administrata e Trump është thellësisht pragmatiste duke i dhënë përparësi interesave të çastit mbi standardet tradicionale morale apo aleancat e konsoliduara.
Në këtë kontekst, pyetjes nëse investimi i Kushner dhe vajzës së Trump në Zvërnec mund të ketë një ndikim të madh tek Edi Rama, Vangjeli dha një përgjigje pragmatiste.
Gjestet simbolike, si një shtrëngim duarsh apo një përkrahje publike, mund të shërbejnë si “injeksione adrenaline” për politikën e brendshme dhe për të mbajtur të entuziazmuar bazën partiake, por nuk përkthehen domosdoshmërisht në mbështetje thelbësore.
Pjesë nga debati në studio.
Lorenc Vangjeli: Ka dy Amerika. Njëra është ajo e raporteve zyrtare, e mënyrës së veprimit në linjë burokratike të shtetit të stërmadh amerikan, i cili ka ato qëndrime të shprehura në raporte.
Linja tjetër ka të bëjë me zyrën e zotit Trump, i cili është i paparashikueshëm. Dhe në atë zyrë, ato të cilat ne dikur i kemi konsideruar si standarte morale që na vinin nga Shtetet e Bashkuara, je i korruptuar apo jo, ke standarte demokratike apo jo në këtë vend, kanë gjithmonë e më pak rëndësi. Ajo zyrë ka marrë portretin e drejtuesit të saj, është bërë shumë më pragmatiste. Nuk e ka problem të të hedhë poshtë apo të kundërshtojë udhëheqësit e vendeve demokratike që janë të tilla realisht, Gjermani, Francë, apo një vend viktimë përballë agresorit siç është Ukraina, në emër dhe në bazë të një interesi të të të çastit. Shtetet e Bashkuara janë shumë më pragmatiste në këtë moment, sepse e tillë është dhe politika e presidentit Trump. Kështu që e thënë me fjalë të tjera, nuk i dihet, nuk mund të vihet bast se çfarë do të ndodhë. Edhe investimi i familjes Trump, në Zvërnec mund të jetë diçka e cila mund të ndikojë, por se tingëllon qesharake, por edhe mund të mos ketë pikën e ndikimit në në humorin e zotit Trump.
Gazetari: A ka ndryshuar qëndrimi amerikan ndaj Shqipërisë?
Lorenc Vangjeli: Deri tani nuk ka ndryshuar. Shqipëria nuk ishte në asnjë zë në axhendën e Shtëpisë së Bardhë deri në fund të vitit. Kjo po shtyhet edhe më tej. Nuk i dihet se sa…
Gazetari: A ka fituar Rama kohë?
Lorenc Vangjeli: Vështirë të thuhet sepse të thashë, nuk mund të vihet bast mbi humorin e presidentit Trump. Por ajo që ne jemi mësuar deri dje, për shembull nëse pesë apo 10 vjet përpara do të do të konsiderohej Shqipëria me ato nota nga Departamenti i Shtetit do të ishte një këmbanë alarmi. Nesër mund të ketë një duarshtrëngim, një rrahje krahësh, si ajo që që i bëri presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që këtu është një injeksion adrenaline i pafundëm për t’u thënë kundërshtarëve, e shikoni, unë e kam mik. Dhe vetvetes për t’i thënë që Amerika është me ne. Të ndajmë mendjen. Amerika është vetëm me interesat e saj.

Advertisement