Politike
Ndarja nga jeta e Franko Frattini, Meta: Trishtim
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-ministrit të Jashtëm italian Franko Frattini.
Në një reagim në Facebook, Meta thekson se Frattini ishte një përkrahës i jashtëzakonshëm për anëtarësimin e vendit tonë në NATO dhe mbështetes në rrugën e integrimin europian.
Statusi:
Me trishtim të thellë mësova për ndarjen e parakohshme nga jeta të Franco Frattinit, mikut të madh të shqiptarëve, i cili ideoi udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave të BE me vendet e Ballkanit Perendimor dhe ishte mbështetësi më i vendosur për kurorëzimin me sukses të këtij procesi historik sidomos për Shqipërinë.
Frattini ishte një përkrahës i jashtëzakonshëm për anëtarësimin tonë në NATO dhe integrimin europian. Ai e kuptonte rëndësinë e marrëdhënieve strategjike midis dy vendeve tona, ndaj u përkushtua për forcimin e tyre në të gjitha drejtimet.
Ngushëllimet më të ndjera familjes Frattini, autoriteteve dhe popullit mik italian për këtë humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme që na pikëlloi të gjithëve!