Connect with us

Shkrime

Ndërprerja e marrëdhënieve me Iranin, akt i guximshëm

Nga Alban Daci

Shqipëria është i vetmi vend në Rajon që ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Iranin! Në kuptimin klasik të marrëdhënieve diplomatike ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike konsiderohet si akti i parafundit para se të shpallet lufta!

Shqipëria, sipas ekspertizës së saj e sigurisht edhe me ndihmën e aleatëve e sidomos të SHBA-ve ka arritur në përfundimin se pas sulmit të të dhënave të e-albania qëndron shteti Iranit! Është fakt se Irani ka zhvilluar sisteme të rëndësishme për të hacker-uar të dhënat dhe këtë e ka bërë më së shumti për të kontrolluar dhe për të pasur nën kontroll politikën e brendshme dhe çdo lloj tentative për të rrëzuar regjimit!

Gjithashtu Irani ka zhvilluar programe të rëndësishme kompjuterike për të goditur të dhëna sensibile edhe si mjet lufte në politikën e jashtme e këto sisteme janë përdorur kryesisht kundër SHBA-ve, Arabisë Saudite dhe të disa vendeve të tjera! Nëse Irani ka perdorur këto metoda edhe kundër Shqipërisë do të thotë se ne jemi bërë pjesë e vendeve “armiq” shumë të rëndësishëm në politikën e jashtme!

Në fakt Shqipëria është në qendër të vëmendjes të regjimit iranian edhe më shumë sesa vetë SHBA, sepse Shqipëria ka mirëpritur “Opozitën iraniane” dhe në vetvete ky është një akt me një guxim të pakrahasueshëm të paktën me vendet e tjera të Rajonit dhe është një shërbim i jashtëzakonshëm ndaj SHBA-ve!

Republika iraniane njihet në histori për politika të jashtme agresive për vendet që konsideron armiq ose rival e mjafton të shikojmë në të kaluarën se cfare aksionesh ka bërë Irani me fqinjët ose me fuqitë e tjera rajonale në gjirin Persik! Irani ka agjenci të specializuara për të destabilizuar vende të tjera ose për të pasur influencë në politikën e jashtme!

Shqipëria është me fat që është vend anëtar i Natos dhe kjo e bën akoma më të mbrojtur sovranitetin e sigurinë e saj kombëtare! Megjithatë, akti i ndërprerjes së marrëdhënieve me Iranin nuk është një lajm kaq normal që po kalon në normalitet! Shqipëria ka tashmë arsye më shumë për të rritur vëmendjen dhe investimet për sigurinë kombëtare!

Gjithashtu, SHBA-të edhe pse reaguan menjëherë duke shprehur në nivelet më larta mbështetje të madhe e të drejtpërdrejtë për Shqipërinë duhet të fillojnë ta konsiderojnë këtë të fundit partner të pazëvendësueshëm dhe të ngushtë duke rritur investimet e ndihmesën e tyre për sigurinë tonë kombëtare dhe për Forcat e Armatosura të Shqipërisë!

Irani nuk do ta pranojë lehtë ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë dhe ka shumë gjasa që ata të tentojnë  me metoda e aksione të tjera për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të Shqipërisë! Akti i ndërprerjes së marrëdhënieve në fakt është vetëm fillimi i një situate që mund të ketë në të ardhmen aksione të ndryshme përmes të cilave Irani mund të kërkojë të “hakmerret”.

Advertisement