Aktualitet
Ndërron jetë Ismail Kadare, por vepra e tij mbetet e pavdekshme, mesazhet e personaliteteve shqiptare
U nda nga jeta mëngjesin e sotëm, kolosi i letrave shqipe, Ismail Kadare. Shkrimtari më në zë shqiptar, brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë, ishte 88 vjeç.
Personalitete të larta të vendit dhe jo vetëm kanë përcjellë mesazhet e ngushëllimit për ndarjen nga jeta të shkrimtarit që shqiptarëve u fali dritën kur ishin në errësirën e diktaturës ndërsa botën e njohu me Shqipërinë, shtetin me popull me traditat dhe kulturë europiane por që ishte izoluar nga diktatura komuniste dhe ishte lënë jashtë nga Europa.
Më poshtë do të jenë të gjitha mesazhet e personaliteteve për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë
Mesazhi i Presidenti Bajram Begaj
“Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne. Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës!”
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla vlerëson veprën e shkrimtarit Ismail Kadare
“Me veprën që krijoi, Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar më i madh i të gjitha kohrave, u ngjit në Olimpin e letrave shqipe.
Me rrezatimin e përbotshëm të veprës së tij, Kadare e ngjiti letërsinë dhe kulturën shqiptare në majat e letërisë, kulturës dhe qytetërimit botëror.”
Ministri Blendi Gonxhe
Lajm i trishtë ndarja nga jeta e të madhit Ismail Kadare! Gjeni i letrave, një figurë madhore e letërsisë shqiptare që bëri jehonë përtej kufijve e anembanë duke na përfaqësuar denjësisht!
Ismail Kadare do të mbetet gjithmonë një testament i pasionit dhe talentit të pashoq, vlerë e trashëgimi e pasur kulturore që përmes rreshtave të tij do jetojë ndër breza!
Ngushëllimet më të sinqerta për familjen! U prehsh në paqe, mjeshtër i madh!
Lulzim Basha, kreu i demokratëve euroatlantikë
“Ndarja nga jeta e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, është një lajm i trishtë për kulturën dhe kombin shqiptar.
Patriarku i letrave shqipe, ambasadori i kulturës shqiptare në botë, shkrimtari që mbajti gjallë vetëdijen dhe shijen letrare për gati gjysmë shekulli, mbylli sytë përgjithmonë për të fituar pavdekësinë në altarin e letërsisë dhe kulturës së përbotshme.
Me veprën e tij letrare, me shumëllojshmërinë e zhanreve dhe universin e temave, Kadare është krenaria e kulturës kombëtare dhe përfaqësuesi më i denjë i letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX.
Me largimin e tij nga kjo botë, kultura dhe letërsia ka humbur një zë origjinal të jashtëzakonshëm, kombi ka humbur një mbrojtës të flaktë të identitetit kombëtar, familja dhe të afërmit njeriun e dashur, miqtë dhe kolegët mikun e tyre të pazëvendësueshëm. Në këtë ditë të trishtë, jam pranë familjes dhe të afërmve me lutjet për paqe të merituar dhe amshim të paharruar!
Le të prehet i qetë, shkrimtari ynë i madh!”