Connect with us

Bota

Ndërron jetë Theodoros Pangalos, ai që nuk e mohoi kurrë origjinën e tij arvanitase

Anëtari historik i partisë socialiste greke, PASOK dhe ish-ministri i Jashtëm dhe zëvendëskryeministër nën qeveritë e PASOK-ut, Theodoros Pangalos, vdiq sot në moshën 84-vjeçare.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur familja përmes një postimi në rrjetet sociale. Në vitin 1996 ai u emërua ministër i Punëve të Jashtme dhe mbajti këtë post deri në dorëheqjen e tij në 1999.

Pangalos kundërshtoi diktaturën ushtarake të vitit 1967 dhe iu hoq shtetësia greke nga junta në vitin 1968.

Kush ishte Theodhoros Pangalos

Ai ishte nipi i ish-gjeneralit e diktatorit grek Theodhoros Pangalos, ishte një nga politikanët më të njohur e të fuqishëm të Greqisë, që foli gjithmonë hapur për origjinën e tij arvanitase. Themelues i partisë së majtë PASOK, ishte deputet me shumë mandate në vijim, nënkryetar i qeverisë së Jorgos Papandreu 7 tetor 2009-17 maj 2012 dhe njëkohësisht kryeministër plotësues i vendit.

Theodhoros Pangalos ishte ministër i Jashtëm i Greqisë në mandatin e Kostas Simitis (22 Janar 1996 – 19 Shkurt 1999), si dhe zëvendësministër i Jashtëm për disa mandate në vazhdim në gjithë periudhën (5 qershor 1985 – 8 korrik 1994), periudhë kur Pangalos ka ushtruar tepër vëmendje në marrëdhëniet me Shqipërinë.

Madje, gjatë vizitës në Shqipëri kishte deklaruar në median vendase se me shqiptarët jemi “një fytyrë, një racë”.

Pangalos ishte njohës i gjuhës arvanitase dhe studiues i gjuhës dhe kulturës arvanitase, prejardhje që nuk e fshehu kurrë.

Advertisement