Connect with us

Politike

Ndërtimet pa leje/ Rama: Këto janë më pak se dje

Kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në Facebook, i ka dhënë përgjigje pyetjes që vjen pas nisjes së aksionit shtetëror për konfiskimin e ndërtimeve pa leje.

Kanë qenë të shumtë zërat në opinionin publik, media por dhe nga opozita të cilët pyesin se përse nisi tani ky aksion, dhe ku ishte shteti në momentin që ndërtimet pa leje lulëzonin?

Lidhur me këtë pyetje Rama shkruan se të gjitha përgjigjet do të merren pas nisjes së hetimeve,. Për të kuptuar se cili ka qenë roli i policisë apo dhe i inspektorëve të ndërtimit të cilët nuk kanë reaguar gjatë kohës që shtoheshin ndërtesat dhe katet pa leje.

Postimi i Ramës:

KU ISHTE SHTETI KUR U NDËRTUA?

E kam ndeshur këtë pyetje në komente mbi operacionin më të fundit të qeverisë për konfiskimin e ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi. Pyetja në fakt është ku ishin inspektorët apo punonjësit e policisë së zonës ku janë bërë të tilla abuzime! Këtë do ta mësojmë nga hetimi që ka nisur paralelisht, ndërkohë që pa dashur të humbas kohën e askujt të cilit nuk i mbushet mendja, po as timen për t’iu mbushur mendjen atyre që s’duan, them se janë disa gjëra që duhen mbajtur parasysh

E para, sot këto lloj ndërtimesh janë ku e ku më pak se dje dhe janë ku e ku më pak, pikërisht sepse ka ku e ku më shumë shtet, ligj, rregull se deri dje.

E dyta, kjo nuk është një ndeshje futbolli dhe as një betejë e vetme, po një luftë e gjatë, ku avantazhi i shtetit e i ligjit në terren nuk merret kollaj, po me mund e durim të madh.

E treta, ky operacion bazohet në ndryshimet e reja ligjore, që dolën si mësim në rrugën plot kthesa e befasira të kësaj lufte dhe në një vullnet të papërkulur për ta çuar këtë luftë të gjatë deri në fund.

E katërta, ka shumë të ngjarë që me mbylljen përfundimtare të rrugës së legalizimit dhe konfiskimet e këtyre hapësirave abuzive për interes publik, të vuloset edhe fundi i kësaj praktike të neveritshme.

E pesta dhe e fundit, e cila është edhe personale dhe e kam me ata që më dinë si veten e tyre apo më akuzojnë për gjëra që mesa duket do t’i bënin vetë në vendin tim: Po të kishte lindur ndërtuesi që më blinte mua me kate e me metra pallatesh, ky operacion nuk do ndodhte kurrë me nxitjen dhe nën udhëheqjen time. Kaq.

Advertisement