Kronike
Ndërtoi skemë piramidale me dëm 28 mln euro, arrestohet shtetasi nga Koreja e Jugut
Si rezultat i bashkëpunimit të FAST Albania, Interpol Tirana, Policisë Kufitare të Rinasit dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ditën e sotme është finalizuar operacioni “Fast”.
Në kuadër të këtij operacioni është arrestuar një 61-vjeçar nga Koreja e Jugut, i akuzuar për krijim të skemave piramidale në nivele ndërkombëtare.
Arrestimi i tij u bë pranë aeroportit të Rinasit ku po priste bashkëshorten që po vinte nga Dubai në Tiranë.
“Si rezultat i operacionit, FAST Albania, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Rinasit dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në afërsi të aeroportit të Rinasit, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimin, të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar: S. M., 61 vjeç, pasi Gjykata e Seoulit, Koreja e Jugut, me vendimin e datës 24.10.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi në rrethana rënduese”, parashikuar nga Kodi Penal i Koresë së Jugut”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Shtetasi S. M., në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, ka ndërtuar një skemë piramidale në nivele ndërkombëtare, e cila supozohej se shpërblente investitorët, për blerjen e paketave të reklamave dhe rishitjen e tyre tek përdoruesit e rinj.
Gjatë periudhës 27 mars 2016 – 7 nëntor 2020, këta shtetas kanë mashtruar 2156 shtetas, me një dëm në vlerë monetare totale 40 703 930 904 KRË (monedha e Koresë së Jugut) ose rreth 28 000 000 euro.