Connect with us

Shkrime

Ndëshkimi amerikan/ Serwer: Kurti probleme me vizën amerikane

Profesori amerikan, Daniel Serwer, thotë se mbase fjala “ndëshkim” s’është e duhura për t’u përdorur nëse Kurti refuzon planin për de-eskalimin e situates në veri të Kosovës, por sipas tij është e qartë që SHBA dhe BE janë të përgatitura për t’i bërë atij presion.

Njohësi i zhvillimeve politike është shprehur se Washingtonin dhe BE-në i ndanë vetëm “Ballkani i Hapur” dhe s’ka përjashtuar mundësinë që kryeministri Kurti të shpallet non-grata nga Amerika, teksa ka përmendur vështirësinë për t’u pajisur me vizë amerikane përsa ishte opozitar.

Emisari i BE-së, Miroslav Lajcak bashkë me emisarin amerikan, Gabriel Escobar para disa ditësh kanë realizuar një vizitë të përbashkët në Prishtinë dhe Beograd në përpjekje për të bindur Kosovën dhe Serbinë për të de-eskaluar situatën në veri të vendit. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje që i kishte dhënë medias kishte treguar se këto bisedime kishin qenë të vështira, sidomos me kryeministrin Albin Kurti.

Të dy kishin paralajmëruar se për takimet në Kosovë dhe në Serbi do të raportojnë, njëri para 27 shteteve anëtare të BE dhe tjetri para Shtëpisë së Bardhë. Pavarësisht kësaj, Kurti s’ka lëvizur nga pozicioni i tij dhe propozimi tre pikësh i Josep Borell i nxjerr pas takimit me Vjosa Osmanin ka mbetur ende pezull.

Lajcak ka udhëtuar drejt Washingtonit me ftesë amerikane, ku edhe ka zhvilluar takime me nënsekretaren e Shtetit, Viktoria Nuland. Pas këtij takimi Nuland ka shkruar se mbështesin propozimin tre pikësh të BE-së si rruga më e mirë për të ecur përpara.

Lidhur me këtë udhëtim të Miroslav Lajcak drejt Washingtonit në një kohë mjaftë delikate, i pyetur nëse kjo ftesë e amerikanëve për Emisarin e BE’së mund të ketë qenë një thirrje për të diskutuar ndonjë ndryshim eventual që emisari sllovak duhet të bëjë në mënyrën se si ndërmjetëson dialogun, apo thjeshtë ftesë për koordinim të mëtejshëm lidhur me masat që mund t’i marrin për Kosovën dhe Serbinë, Daniel Serwer ka thënë se SHBA dhe BE kanë pajtueshmëri të plotë për gjithçka në proces, përveç nismës “Open Balkan”.

I pyetur nëse beson që SHBA do ta ndëshkojë Kosovën dhe kryeministrin Albin Kurti nëse s’do të ketë lëvizje të pozicionit për propozimin tre pikësh të BE-së, për de-eskalim, Serwer ka thënë se nuk e di nëse fjala “ndëshkim” është e duhura, por thotë se është e qartë se SHBA-ja dhe BE-ja janë të përgatitura për t’i bërë presion Kosovës për de-eskalimin e situates ne veri te vendit.

Profesori amerikan Serwer ka folur edhe lidhur me disa raportime në media, që s’kanë përjashtuar as mundësinë që kryeministri Kurti të shpallet non-grata nga SHBA-ja në rast se refuzimi për de-eskalim do të jetë i skajshëm.

Ai u shpreh se kjo është një ide e tmerrshme që do ta bëjë kryeministrin Albin Kurti edhe më të pabindur, por potencon se nuk e përjashton, meqë thotë se Kurti ka pasur probleme që të pajiset me vizë amerikane si opozitar.

Në fund, i pyetur nëse vendimi i presidentit amerikan, Joe Biden, për urdhrin ekzekutiv për Ballkanin Perëndimor mund të ketë lidhje edhe me situatën në veri të Kosovës, Serwer ka thënë se supozon që po, megjithatë thotë se për këtë duhet pyetur Qeveria Amerikane.

Situata në veri të Kosovës vazhdon te jete e përkeqësuar. Thirrjet ndërkombëtare dhe presioni ndaj Kosovës për të vendosur qetësinë ka qenë i pandalshëm. Propozimet e Washingtonit dhe Brukselit ende s’kanë marrë dritën jeshile nga kryeministri Albin Kurti, i cili tashmë si kusht për de-eskalim ka shtuar edhe lirimin e tre policëve të Kosovës që janë rrëmbyer nga Serbia.

 

Advertisement