Kronike
Ndotja akustike në Sarandë, ndiqen penalisht tre menaxherë
Policia ka marrë masat për ndotjen akustike. Gjatë kontrolleve janë konstatuar në paligjshmëri 3 subjekte, në Ksamil dhe në Sarandë. Nga ana e uniformave blu janë proceduar penalisht 3 menaxherët e subjekteve që prishën qetësinë publike, duke vendosur muzikë të lartë pas orarit të lejuar. Po kështu janë sekuestruar pajisjet që gjeneronin muzikën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 3 menaxherët e këtyre subjekteve, shtetasit E. M., 29-vjeç, A. B., 18-vjeç dhe Th. P., 44-vjeç, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Njoftimi i Policisë:
Sarandë/Vijojnë kontrollet intensive në të gjithë qarkun, për parandalimin e ndotjes akustike. Gjatë kontrolleve janë konstatuar në paligjshmëri 3 subjekte, në Ksamil dhe në Sarandë. Procedohen penalisht 3 menaxherët e subjekteve që prishën qetësinë publike duke vendosur muzikë të lartë, pas orarit të lejuar. Sekuestrohen pajisjet që gjeneronin muzikën.
Shërbimet e komisariateve të Policisë Sarandë, si rezultat i kontrolleve gjatë natës, për parandalimin e shqetësimit të qytetarëve dhe pushuesve, nga ndotja akustike që vjen si pasojë e muzikës së lartë në subjekte të ndryshme argëtimi, kanë konstatuar 3 raste të tjera të kësaj paligjshmërie.
Në 3 lokale, në Sarandë dhe në Ksamil, shërbimet e Policisë kanë konstatuar muzikë të lartë në tejkalim të orarit të përcaktuar. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për 3 menaxherët e këtyre subjekteve, shtetasit E. M., 29 vjeç, A. B., 18 vjeç. dhe Th. P., 44 vjeç, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Për të trija rastet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale pajisjet që gjeneronin muzikën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve apo hoteleve, që të zbatojnë me rigorozitet ligjin dhe rregullat e parashikuara për ndotjen akustike, pasi në rast të konstatimit të paligjshmërive në këtë fushë, shërbimet e Policisë do të sekuestrojnë pajisjet që gjenerojnë muzikë dhe do të procedojnë sipas ligjit, shtetasit përgjegjës.