Politike
Ndreca flet për kënetën/ Tabaku: Nuk ulem me persona të përfshirë në korrupsion

Plarent Ndreca, kandidat për deputet i Partisë Socialiste në listën e hapur, në studion e “Debat” u pyet nëse i dukej korrekte që nuk ka përballje televizive në kohë fushate elektorale.
Përgjigjja e tij ishte e tillë: “Me kënetën s’ka debat”.
“Pavarësisht se kam konsideratë për zonjën Jorida Tabaku, e cila konkurron dhe ajo në listë të hapur, nuk mund të bësh debate me “kënetën”. Është çështje kategorish. Nuk mund të luajë në një fushë Luftëtari me Real Madridin, kështu që… Janë diferenca shumë të mëdha dhe u duhet shumë kohë atyre (opozitës) që të afrohen dhe më pas mund të jemi në një tavolinë”, shtoi Ndreca.
I menjëhershëm reagimi i Jorida Tabakut, e cila po në studion e “Debat” deklaroi: “Ka të drejtë, jemi shumë larg. Unë nuk mund të ulem dot në një tryezë me persona të cilët janë të përfshirë në korrupsion të drejtpërdrejtë. Mua më vjen keq për gjuhën që përdorin, në mungesë të përballjes politike. Nëse oferta politike është tallavaja dhe kërcimi, nuk ka çfarë debati të kesh. Kjo nuk është hera e parë që ndodh. Edhe në vitin 2017 dhe 2021. Mesa mbaj mend unë, nuk ka pasur përballje politike”

