Aktualitet
Ndryshimet në Kodin e ri Penal, disa të dënuar përjetë mund të kërkojnë liri me kusht, përjashtohen ata që…

Drafti i Kodit Penal ka shkaktuar kundërshtime dhe debate të forta, qe nisin që me mënyrën e hartimit dhe konceptimit, deri tek rreziqet qe mund te minojnë në mënyrë të pariparueshme mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në vend. Ne dokumentin që u prezantua pak ditë më parë, bien ne sy masa represive (burg) edhe për ato vepra të cilat deri më tani, sipas Kodin Penal në fuqi, ndëshkoheshin me masa gjobe.
Kundërshtime ka hasur kryesisht ndryshimi që ka të bëjë me lirimin me kusht të të dënuarve me burgim të përjetshëm pasi të kenë shlyer jo më pak se 35 vite burgim.
Ne Kodin aktual Penal, ka kufizime për ata të dënuar përjetë që kërkojnë lirim me kusht. Vetëm në raste të jashtëzakonshme i dënuari me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht kur: Ka vuajtur jo më pak se tridhjetë e pesë vjet burgim dhe gjatë vuajtjes së dënimit ka mbajtur sjellje shembullore dhe çmohet se i është arritur qëllimit të dënimit për edukimin e tij.
Nga ky rregull, përjashtohen të dënuarit për disa vepra penale. Në ndryshim me Kodin aktual Penal, Neni 65, pika 3, specifikon se nga kërkesa për lirim me kusht, përjashtohen ata të dënuar përjetë që kanë kryer vepra të rënda penale që kanë të bëjnë me vrasje për gjakmarrje, vrasje e funksionarëve publikë, vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare dhe marrëdhënie seksuale ose homoseksuale më të mitur.
Pra, në draftin e Kodit të ri Penal, të drejtën për të kërkuar lirim me kusht e kanë të gjithë të dënuarit me burgim të përjetshëm, kur kanë kryer jo më pak se 35 vite burgim.
Propozimi është arritur pas një debati të gjerë, pasi çështja është një kompleksitet faktorësh, ndërsa vjen edhe pasi vetë Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e ka theksuar më herët se burgimi i përjetshëm është në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, vetëm për sa kohë të burgosurit kanë njëfarë shansi për t’u liruar dhe është e mundur që dënimet e tyre të rishikohen.
Kodi Penal aktual i Shqipërisë u miratua më 27 janar 1995 dhe hyri në fuqi më 1 qershor të po atij viti. Kodi i ri Penal është kërkesë prej vitesh edhe e Bashkimit Evropian.

