Connect with us

Politike

Ndryshimet në qeveri/ Bardhi: Rama nuk mbron dot propozimet e tij

Gazment Bardhi ka folur pas seancës së shkurtër parlamentare ku u votuan ndryshimet në qeveri.

Bardhi tha se nuk u lejua debati dhe se Rama është i paaftë për të mbrojtur ndryshimet e veta në kabinetin qeveritar.

Sipas tij, nuk ka asnjë rëndësi si quhen ministrat e rinj apo të vjetër të Ramës, pasi njëlloj do mbrojnë korrupsionin.

“Edhe pse sot u formatua gjysma e kabinetit qeveritar, nuk u lejua një debat parlamentar për këto ndryshime në qeveri. Nuk kemi shpjegim pse ditën e parë të shkollës shkarkohet ministrja e Arsimit, pse shkarkohet ministrja e Jashtme kur përpara kemi samitin e Berlinit.
Edhe kur propozimet e kryeministrit vijnë për votim, ai është i paaftë për të mbrojtur ndryshimet e veta në kabinetin qeveritar.
Shqiptarët e kanë kuptuar që sado makijazh të bëjë të kabinetit, vulën e korrupsionit nuk e heq dot. Nuk ka asnjë rëndësi si quhen ministrat e rinj apo të vjetër të Ramës, njëlloj do vazhdojnë pagesat për inceneratorët, njëlloj do vazhdojnë të mbrojnë korrupsionin e Edi Ramës. Problemi i kësaj qeveri nuk janë anëtarët e kabinetit, por Rama”, tha Bardhi.

I pyetur për takimet e deputetëve të opozitës nën drejtimin e tij, ai konfirmoi tryezën në ditët në vijim.
“Do mblidhemi patjetër në tryezë, do të vazhdojnë të 59 deputetët opozitarë të PD-së dhe Aleancës për Ndryshim”, deklaroi Bardhi.

Advertisement