Connect with us

Politike

Ministri i ri i Mbrojtjes/ Meta: A vijon të jetë shtetas grek?

Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, në një konferencë për shtyp ka komentuar ndryshimet në kabinetin qeveritar të propozuar ditën e djeshme nga kryeministri Edi Rama në kongresin e PS. Meta u shpreh se personi i propozuar për postin e ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, aktualisht drejtor i Portit të Durrësit, ka patur shtetësi greke.

Kreu i PL-së tha më tej se pyetja që ngrihet është a vazhdon kandidati për ministër i Mbrojtjes të jetë shtetas grek dhe të ketë detyrimet e tij ligjore ndaj këtij shteti?  Sipas tij përgjigja e kësaj pyetje është thelbësore për vetë implikimin dhe rolin që ka Ministria e Mbrojtjes në çështjen e pazgjidhur të kufirit detar me Greqinë dhe shtoi se një ministër i mundshëm, nënshtetas grek, mund të luajë një rol jo në favor të interesave të shtetit shqiptar.

PJESË NGA FJALA E METËS: 

Jam sot para jush për të mbajtur një qëndrim të qartë në emër të Partisë së Lirisë lidhur me retushimin e djeshëm të NarkoQeverisë që bëri Edi Rama, në një event politik, ku ekzekutoi përfundimisht Partinë Socialiste, duke zëvendësuar tre kukulla politike me tre kukulla anonime. Edi Rama nuk ndryshio aspak filozofinë grabitëse të qeverisjes, jo vetëm në dëm të interesave të qytetarëve por edhe të cënimit flagrant të interesave kombëtare.

Lëvizjet e befta në tre ministritë më të rëndësishme, të Financave, të Brendshme dhe të Mbrojtjes, nuk sjellin asnjë risi, as ulje taksash, as rritje pagash dhe pensionesh, as hapje të vendeve të reja të punës, as më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit, as dhënien fund të korrupsionit, as luftë kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, as forcimit të rendit dhe sigurisë publike.

Përkundrazi, Edi Rama vetëm sa zëvendësoi teknikisht tre pjesë të lavatriçes gjigande të pastrimit të parave të korrupsionit dhe drogës, nga frika e dëshmisë së radhës të ish-krahut të tij të djathtë për 10 vite, ish-Zv/Kryeministrit Arben Ahmetaj që pritet të japë sot të tjera prova rënqethëse të inkriminimit të Qeverisë në nivelet më të larta. Pa u larguar Edi Rama nuk ka asnjë shpresë se ndryshimet në Qeveri do të sjellin një impakt pozitiv, sa kohë është ai ideatori dhe përfituesi kryesor i Narkoshtetit dhe Narkoekonomisë që ka ndërtuar në 11 vite.

Ministria e Brendshme prej kohësh është provuar si një ministri e Encro-Chatit dhe “Metamorfozës”, një strofull e sigurtë e trafikantëve të drogës dhe e drejtuesve të lartë të inkriminuar të Policisë të Shtetit, të udhëhequr jo nga ligji por nga urdhrat politikë të ministrave të radhës në funksion të konsolidimit të Narkoshtetit.

Kjo është vijimësia e Ministrave të njëpasnjëshëm të Brendshëm të kompromentuar deri në palcë dhe asnjë risi nuk pritet nga kandidati i ri për ministër, një ish-funksionar i Policisë Rrugore, i panjohur edhe për vetë Kryesinë e PS-së. Nën Narkoqeverisjen e Edi Ramës, Ministria e Mbrojtjes e shndërroi ushtrinë shqiptare në një kultivuese të kanabisit, që garantonte mbrojtjen dhe hapjen e korridoreve të transportit ndërkombëtar të drogës nëpërmjet fikjes së radarëve, që u falte pronat e saj oligarkëve dhe që për fat të keq u shndërrua në instrument politik në shërbim të Narkoshtetit, jo vetëm duke cënuar sigurinë kombëtare, por edhe duke humbur autoritetin dhe rolin e saj, si pjesë e NATO-s.

Ndaj as drejtori i Portit të Durrësit, hambarit që mblidhte dhe shërbente si pikë tranziti për trafikun ndërkombëtar të kokainës në mbarë botën dhe njëkohësisht një ndër autorët e aferës së tmerrshme të Alabarit me Portin e Durrësit, nuk mund t’i ndryshojë dot fytyrën ministrisë së Mbrojtjes, përkundrazi pritet ta ndotë më shumë atë.

Dihet botërisht që kandidati i propozuar për ministër të Mbrojtjes nga Edi Rama ka patur shtetësi greke dhe ky fakt është bërë publik në periudhën kur ai ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Kabinetit të ish-ministrit të Jashtëm, z.Bushati, gjatë së cilës i erdhi zyrtarisht fletëthirrja nga shteti grek për të kryer shërbimin ushtarak dhe këtë e di e gjithë ministria e Jashtme.
Pyetja që shtrohet është a vazhdon kandidati për ministër i Mbrojtjes të jetë shtetas grek dhe të ketë detyrimet e tij ligjore ndaj këtij shteti?  Përgjigjja është thelbësore për vetë implikimin dhe rolin që ka Ministria e Mbrojtjes në çështjen e pazgjidhur të kufirit detar me Greqinë dhe ku një ministër i mundshëm, nënshtetas grek, mund të luajë një rol jo në favor të interesave të shtetit shqiptar.

Advertisement