Connect with us

Kosova

Kurti kamaleon/ Ndryshim total brenda 24 orëve

Për çështjen me të rëndësishme në politikën e jashtme të Kosovës, kryeministri Albin Kurti, ka dhënë dy qëndrime krejtësisht të kundërta në një hark kohor më të shkurtër se 24 orë.

Duke folur në emisionin “Review” në Euronews Albania, Kurti pyetet për planin franko gjerman.

Ai thotë se ky është vetëm një propozim dhe se “nuk bëhet dot marrëveshje pa u zhvilluar edhe një raund negociatash”, pra nuk është “marrëveshje finale” deklaron Kurti, derisa përfundon duke thënë se emërtimi më i mirë për të është “propozim fillestar”.

Madje, thotë se “termet janë ende gjenerike” dhe se vlen vetëm që “t’i  hapim bisedimet njëherë”.

Kështu Kurti la të nënkuptohej se propozimi ashtu si qëndron aktualisht është i vlefshëm si një nisje mbi të cilën mund të diskutohen opsionet.

Intervista me gazetaren Jonida Shehu u realizua gjatë ditës së 12 shkurtit, të dielën, dhe u transmetua në orën 20:00.

Vetëm një ditë prapa, me 13 shkurt, kryeministri i Kosovës duke shpalosur planin franko-gjerman në Parlament ka thënë krejt të kundërtën e deklarimit të tij në intervistë.

Propozimi jo që nuk është “fillestar”, por ai as s’mund të ndryshojë më dhe këtë Kurti deklaroi se e di qysh nga data 20 janar, sepse atëherë ia thanë diplomatët perëndimorë kur e vizituan në zyrën e tij.

“Me datë 20 janar 2023 emisarët me (Miroslav) Lajçakun i dhanë disa qëndrime. Ata ma bën të qartë që propozimi kryesor këtë herë është fare pranë formatit merre ose leje”, deklaroi Kurti.

Tregoi edhe se ndërkombëtarët i kanë thënë se ky propozim nuk ndryshon më.

“Nuk lejohet praktikisht hapja apo negocimi i tij”, tha Kurti në Kuvend.

“Qëndrimi i tyre ishte që… nuk mund të pritet një ‘jo’ nga Kosova, sepse do të hynin në një rrugë të konfrontimit me ta”, shpjegonte kryeministri as 24 orë nga momenti kur deklaroi se propozimi përbënte një pikënisje fillestare.

“Ata gjithashtu ma bën të qartë se çfarëdo refuzimi të propozimit do të shoqërohet me hapa kundërshtues dhe ndëshkues diplomatikë. Do të krijojë dobësim serioz të mirëbesimit ndërmjet nesh dhe shteteve të tyre”, tregonte Kurti t’i kenë thënë diplomatët.

Ky lloj diskutimi i kryeministrit me shumë paqartësi e ka përcjellur pothuajse secilin deklarim të tij publik, prejse është futur në proces dialogues.

Kjo ishte edhe vërejtja qendrore e opozitës këtë të hënë në parlament, të cilët i kërkonin qartësim të plotë të pozicionit të tij në raport me propozimin dhe në përgjithësi procesin negociues./Albanianpost.com

Advertisement