Shkrime
NDRYSHON FATI KOSOVES/ Serwer për sulmin terrorist në Zubin Potok
Njohësi i zhvillimeve në Ballkan, profesori amerikan Daniel Serwer, e vlerësoi sulmin terrorist në kanalin e ujit në Ibër Lepenc si një akt të tmerrshëm që ka mundur të ketë ndikime të mëdha në cilësinë e jetës për popullatën në Kosovë.
Në lidhje me mundësinë e infiltrimit të elementeve ruse në organizimin e sulmit, Serwer e cilësoi si një hipotezë të mundshme, por theksoi se pa fakte konkrete, nuk mund të jepen përfundime të sakta.
Kur u pyet për akuzat e qeverisë së Kosovës ndaj Beogradit, ai u shpreh se është ende e vështirë të përcaktohet se kush qëndron prapa sulmit.
“Nuk dua të zhytem në spekulime të padobishme. Sigurisht Beogradi e ka mohuar, madje ka akuzuar edhe Prishtinën. Kjo është situata ku kemi dy kryeqytete të cilat kanë marrëdhënie jofqinjësore. Sigurisht qe do ta akuzojnë njëri-tjetrin dhe do të mohojnë njohurinë për një rast të tillë dhe prandaj na duhen prova të prekshme. Shpresoj që autoritetet në Kosovë, ato gjyqësore e ligjzbatuese do të prezantojnë prova të prekshme shumë shpejt” – deklaroi profesori amerikan.
Serwer theksoi edhe se ka presione ruse dhe gjatë gjithë kohës kemi parë një sërë sulmesh kundër Kosovës, teksa e ka konsideruar gabim të madh të Perëndimit mos ndëshkimin e Serbisë.
”Unë besoj se ka qenë gabim i stërmadh që këto incidente të mbesin të padënuara ashtu siç do të duhej. Sulmet e tilla janë qartësisht të nxituara, të përkrahura e planifikuara në Beograd, duke përfshirë rrëmbimin e policëve, pastaj sulmet ndaj paqeruajtësve të KFOR-it por edhe sulmi në Banjskë, por siç e thash nuk kam se si ta dijë, sidomos për këtë incidentin e fundit, nëse është si ata të tjerët i planifikuar në Beograd, apo mund të jetë pasojë e ndokujt tjetër, përfshirë këtu edhe forca ruse. Gjithsesi duhet të presim për prova” – theksoi profesori I njohur.
Në lidhje me atë nëse ka ardhur koha që Forca e Sigurisë e Kosovës të operojë edhe në veri, Serwer tha se ka hezitime rreth kesaj teme.
“Ekziston një problem kur ka dy ushtri të ndryshme në të njëjtin vend e në të njëjtën kohë. Forcat e NATO-s nuk duan një ushtri të dytë në veri dhe këtë mund ta kuptoj. Forcat e Sigurisë së Kosovës nuk janë plotësisht apo tërësisht të gatshme që ta mbrojnë Kosovën, e sidomos në veri. Unë do të kisha heziti në kuptimin e zbarkimit të tyre në veri dhe sigurisht qe do të vijë koha. Kur NATO-ja të tërhiqet, FSK-ja do ta kenë lirinë e plotë të vendoset kudoqoftë, përfshirë edhe veriun”, tha profesori amerikan teksa dhe vuri në pah një çështje, që sipas tij është shumë më e rëndësishme se sa operimi i FSK-së në veri.
“Unë do të kërkoja nga NATO-ja tërheqjen e forcave serbe nga kufiri me Kosovën. Kjo për mua do të duhej të ishte qasja e duhur persa i përket situatës aktuale”, nënvizoi profesori amerikan
Daniel Serwer, duke folur per dialogun Kosove-Serbi shprehu dyshime për mundësitë e përparimit në të ardhmen e afërt. Ai e cilësoi ate si një lloj “dialogu teknik”, i cili ka dështuar të sjellë rezultate konkrete për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2013.
“Sigurisht qe dialogu mund të bëhet në çfarëdolloj kushtesh, por kushtet aktualisht janë goxha të rënda dhe nuk pres ndonjë rezultat të madh. Ka një administratë amerikane që pritet të vijë në janar, pastaj edhe të rinjtë që kanë ardhur në BE. Më duket që në situatën aktuale ajo që mund të shpresohet nga dialogu para fillimit të vitit të ardhshëm është që njerëzit të flasin në mënyrë të sinqertë me njëri-tjetrin duke u përpjekur për të ulur temperaturën me aq sa munden dhe duan, por që rezultate reale në dialog apo progresi drejt normalizimit e pastaj edhe drejt njohjes nuk besoj se do të jetë i mundur para fillimit të vitit të ardhshëm. Madje, kam dyshimet e mia po ashtu se njohja do të jetë e mundur me presidentin Vuçiq në pushtet në Beograd”, theksoi Serwer.
“Pres që shefja e re e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas të shtoje perpjekjet të ulë temperaturën e rritur ne marredheniet mes dy vendeve dhe të theksojë se duhet të ketë llogaridhënie incidentin e fundit ne Zubin Potok dhe ato q kane ndodhur ne te shkuaren. Llogaridhënie është kërkuar ndaj Kosovës per veprimet e njeanshme ne Veri, por asgjë nuk është bërë kundrejt kundërvajtjeve goxha të rënda të Serbisë. Besoj se ka goxha shumë hapësirë që BE-ja ta forcojë qëndrimin kundër Beogradit dhe do të shpresoja që pastaj edhe amerikanët ta ndjekin ne këtë hap”, theksoi Serwer. Ndërkaq, persa i përket administratës së presidentit amerikan Trump, ai potencoi se nuk beson se Ballkani Perëndimor do të jetë prioritet, por u shpreh se Kosova duhet të ketë durim dhe të presë janarin dhe fillimin e punës së presidentit Trump.