Connect with us

Aktualitet

Në burg/ Beleri: Nuk kam lidhje me akuzën, lekët nuk i kisha për të blerë vota

Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Fredi Belerin. Kandidati i “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Himarë u arrestua për shitblerje votash. Në sallën e gjyqit Fredi Beleri ka deklaruar se nuk ka lidhje me akuzën. Ai ka thënë se ishte me të afërmit e tij dhe se lekët nuk i kishte për të blerë vota.

“Nuk kam lidhje me akuzën, isha me të afërmit e mi, lekët nuk i kisha për të blerë vota!”, – mësohet se ka thënë Fredi Beleri në sallën e gjyqit.
,,,

Gjykata e Vlorës ka lënë në burg Fredi Belerin, kandidatin e koalicionit Berisha- Meta për bashkinë e Himarës, i cili u arrestua një ditë më parë për blerje votash. Ndërkohë, Gjykata e Vlorës ka vendosur që për hetime të mëtejshme dosja t’i kalojë Prokurorisë së Posaçme. Seancën e sotme në gjykatën e Vlorës, ishte e pranishme edhe ambasadorja greke e akredituar në vendin tonë. Arrestimi i Belerit u bë me urdhër të Prokurorisë së Vlorës pas një procedimi të nisur për veprën korrupsion aktiv në zgjedhje në bashkëpunim.

Beleri u ndalua në lokalin e tij në shëtitoren e Himarës. Ai ndodhej bashkë me tre persona të tjerë, mes të cilëve edhe avokati i tij. Bashkë me Belerin u vu në pranga edhe Pano Kokoveshi, njëri prej shoqëruesve të kandidatit për kryetar bashkie në Himarë.

Sipas organit të akuzës, në bashkëpunim me persona të tjerë, Beleri u ka premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës.

Mësohet se në një nga rastet bëhet fjalë për dhënien e një shume prej 40 mijë lekësh për sigurimin e 8 votave. Por avokati i kandidatit të opozitës për Himarën Fredi Belerit tha se paratë e sekuestruara nuk kanë lidhje me kandidatin për kryetar bashkie për Himarën. Ai ka thënë se ato janë të një personi tjetër.

Pak ditë më parë, një tjetër person ka denoncuar në SPAK se kishte komunikuar me Belerin, i cili i kishte premtuar që nëpërmjet parave t’i siguronte vota në favor të tij. Pas këtij denoncimi, agjentë të Prokurorisë së Posaçme e kanë mbajtur Belerin nën përgjim.

Advertisement