Politike

Ne do t’i rindërtojmë një për një shtëpitë, shkollat, kopshtet

Procesi i rindërtimit të objekteve arsimore, shkolla e kopshte vijon intensivisht në të gjitha zonat e dëmtuara nga tërmeti, paralelisht me ndërtimin e shtëpive.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Krujë, për të ndjekur ecurinë e ndërtimit të shkollës e kopshtit në Larushk. Edhr kjo shkollë, shumë shpejt, së bashku me 13 shkolla e kopshte të reja në zonën e Krujës do të jenë gati, më të mëdha, më të bukura e me të gjitha kushtet e shkollave e kopshteve kudo në Europë
“Kjo është shkolla ‘Hajdar Hoxha” në Larushk të Bashkisë Krujë, pjesë e prokurimeve të fazës së tretë. Rishtas, një muaj e pak ka që ka filluar. Kryetari i ka ndjekur nga afër punimet së bashku me supervizorët dhe operatorët,” – shpjegoi ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj.
Shkolla ka gjithsej 16 klasa, nga të cilat 13 për shkollën dhe 3 për kopshtin, ku do të akomodohen rreth 320 nxënës. “Jemi duke punuar me ritme të shpejta. Në pjesën e parashkollorit do të akomodohen 45 nxënës. Ka mbaruar muratura e do të fillohet me punimet e brendshme dhe instalimet elektrike. Sipas parashikimeve presim të mbarojmë në mes të janarit,” – u shpreh drejtuesi i punimeve, ndërsa tregoi me detaje projektin.
Kryeministri Rama vlerësoi standardet me të cilat po zbatohet projekti dhe inkurajoi ndërtuesit për ta përfunduar në një kohë sa më të shkurtër.
Kryeministri Rama inspektoi sërish sot në kantierin e lagjes së re në Fushë – Krujë ku puna vazhdon me ritme të larta për të përfunduar fillimisht njësitë individuale. Janë në total 128 njësi individuale në këtë lagje të re, për familjet qe mbetën pa një strehë natën tragjike të 26 nëntorit.
Infrastruktura lidhëse është në përfundim, ndërkohë që puna vazhdon paralel me shtëpitë. “Këtu kemi 128 njësi individuale, nga të cilat janë 40 pllaka të themeleve që janë bërë dhe 12 kanë filluar dhe muraturën, ndërkohë që me pallatet, javën që vjen hapim nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit prokurimin,” – tha ministri Ahmetaj.
Në 10 hektarët ku do të shtrihet kjo lagje e re do të ketë 15 pallate banimi për familjet. Shkolla, qendra hëndetësore, zyra shërbimesh publike, zona të gjelbërta, si edhe një treg modern për produktet e zonës do të jenë pjesë e kësaj lagje të re model, e cila do të ndryshojnë rrënjësisht cilësinë e jetës së familjeve.​

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version