Connect with us

Kronike

Në Durrës dhe Shijak policia sekuestron 47 kamera sigurie

Në fazën e katërt që policia po zhvillon për të hequr të gjitha kamerat e jashtëligjshme, këtë herë u angazhuan në Durrës, Shijak edhe Krujë. 47 kamera sigurie, u çmontuan dhe sekuestruan nga policia në të tre qytetet. Policia thotë zyrtarisht se në hetim për ndërhyrje të padrejta në jetën private, 8 shtetas, nga këta 2 në Durrës dhe 6 në Shijak, i kishin montuar kamerat në mënyrë të kundërligjshme. Për vendosjen e këtyre kamerave, policia mori nën hetim Dejvid Karabojën dhe Plarent Dervishin, ndërsa në Shijak hetimi do të nis për anëtarët e familjes Avdyli, Albert Muharremin vëllai i Rrumit të Shijakut, Xhulio Vorën dhe Sajmir Gjepalin. Në Nikël dhe Krujë, policia ende nuk e di se kush i ka vendosur kamerat e sigurisë. Zyrtarisht policia thotë se ky operacion ka nisur pasi ka informacione se kamerat ishin vendosur me qëllim sigurimin e informacioneve për qëllime kriminale dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë. Një ditë më parë në Vlorë, u çmontuan 16 kamera sigurie të vendosura në 6 lagje të qytetit. Kamerat të cilat ishin instaluar në lagjet “Uji i Ftohtë”, “1 Maji”, “24 Maji”, “Lirim” dhe “Hajro Çakërri” ishin të lidhura me aparate celularë të personave të ndryshëm. Operacioni i parë u zhvillua në qarkun e Shkodrës ku u çmontuan 38 kamera spiune në 3 lagje të qytetit. Kamerat ishin të instaluara në shtylla elektrike, në zona që konsiderohen si shumë të frekuentuara nga qytetarët shkodranë. Të gjitha kamerat e çmontuara dyshohet se ishin të me aparate celulare dhe komandimi i tyre të bëhet përmes internetit, edhe nga jashtë shtetit, dyshohet në Gjermani. Policia akoma nuk ka arritur të gjurmoj autorët e vendosjes së këtyre kamerave në Shkodër, ndërsa nuk janë gjetur serverat që ruajnë regjistrimet video. Në këtë operacion të parë policia shoqëroi për t’i pyetur disa persona nga të dyja fiset, Lici dhe Bajri, por asnjë prej tyre nuk pranoi të jetë autori. Ata, me deklarimet e tyre para hetuesve, nuk ndihmuan në identifikimin e autorëve të vërtet që i kanë montuar në mënyrë të kundërligjshme.

Advertisement