Connect with us

Aktualitet

Në gjendje kritike për jetën/ Avokati Mëngjesi do të transportohet me avion në Athinë

Avokati Sokol Mëngjesi i cili u dhunua brutalisht pak ditë më parë në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, mësohet se do të transportohet me avion drejt Athinës.

Avokati shkoi në spital në gjendje të stabilizuar shëndetësore, por gjendja e tij u përkeqësua disa orë më vonë, duke bërë që të futet në koma artificiale.

Sipas bluzave të bardha te Trauma, sot Mëngjesit i është bërë një skenar dhe është parë një ulje e ënjtjes në tru.

Avokati ndodhet prej 5 ditësh në intubim, edhe pse mëngjesin e sotëm u raportua se gjendja e tij shëndetësore ishte përmirësuar, burime bëjnë me dije se ai do të niset drejt Athinës me avion për ndihmë më të specializuar mjekësore.

Sakaq mësohet se mjekët kanë vendosur ta mbajnë dhe dy ditë të tjera në intubim për të provuar më pas dhe zgjimin dhe nxjerrjen e tij nga intubimi.

  • Dhunimi i avokatit

Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 29 maji pasi avokati Sokol Mëngjesi ka lënë djalin në shkollë në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet. Tre autorët i kanë zënë pritë pranë një kopshti, ku avokati kishte dërguar të birin dhe e kanë goditur me grushte e sende të forta në fytyrë dhe trup. Bëhet me dije se avokati i cili tashmë ndodhet në intubim, ka pësuar dy fraktura, dëmtime te zona e ballit dhe pas koke dhe nga këto goditje.

Gjithashtu ka pësuar dëmtime në pjesën e trurit dhe hemorragji të vogël. Partia Demokratike është shprehur se ky ka qenë sulm politik i urdhëruar nga kryeministri Edi Rama ndërsa policia është shprehur se ngjarja ka ndodhur për shkak të detyrës.

Në lidhje me ngjarjen janë në kërkim janë 21-vjeçari, Drivald Alia, 33-vjeçari, Elton Kasaj dhe 26-vjeçari, Romario Tabaku. Tabaku ishte personi që ka larguar me makinë autorët e sulmit nga vendngjarja. Për arrestimin e personave në kërkim policia ka vënë 20 mijë euro shpërblim për ato që japin informacion të vlefshëm që ndihmon në kapjen e autorëve.

Advertisement