Politike
Në hetim për mosdeklarimin e pasurisë, shtyhet seanca për Asllan Dogjanin
Deputeti i Partisë Demokratike Asllan Dogjani ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme një raport mjekësor, ku shprehet se e ka të pamundur të jetë i pranishëm në seancë sepse ka probleme shëndetësore. Sipas “Top Channel”, seanca ishte parashikuar të mbahej në orën 14.30, ndërsa pritet që të shtyhet.
Prokuroria e Posaçme e mori të pandehur deputetin Asllan Dogjani për veprën penale të deklarimi të rremë të pasurisë, dhe dosjen e tij e ka kaluar për gjykim. Bëhet fjalë për një apartament me sipërfaqe 128.4 m2 në rrugën ‘Hamid Shijaku’, në zonën e njohur ndryshe si ish-stacioni i Trenit në Tiranë.
SPAK njoftoi se deputeti Dogjani ka blerë një apartament në vitin 2006 dhe e ka paguar me 121 mijë euro kesh, në mënyrë që të fshehë burimin e të ardhurave. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shton se më 24 Mars 2010, deputeti deklaroi se e kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2, i cili ndodhet në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë, nga shoqëria e ndërtimit “Protial”. Apartamentin, deputeti tha se e kishte marrë në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar kompanisë. Të njëjtin qëndrim e mbajti edhe në deklarimin e pasurisë që bëri më 16 Qershor 2023. Por rezultoi se për apartamentin, deputeti ka paguar në “cash” shumën prej 121.980 eurove.