Bota
Në Meksikë 249 vdekje gjatë katër muajve për shkak të të nxehtit ekstrem
Të paktën 249 persona kanë humbur jetën në katër muajt e fundit në Meksikë për shkak të vapës përvëluese që ka përfshirë vendin së fundmi. Sipas një raportimi në CNN, Ministria e Shëndetësisë e Meksikës ka publikuar një raport për humbjet e jetëve në vend për shkak të temperaturave ekstreme të lidhura me ndryshimet klimatike.
Sipas raportit, ndërsa termometrat kanë treguar rreth 45 gradë Celsius në fund të qershorit në Meksikë, 249 njerëz kanë vdekur midis 19 marsit dhe 22 korrikut për shkak të temperaturave mbi normalen.Numri më i madh i vdekjeve është regjistruar në shtetin Nuevo Leon me 100 persona, ndërkohë që 92,4 për qind e vdekjeve janë shkaktuar nga goditja e nxehtësisë dhe pjesa tjetër nga etja. Qeveria rekomandon pirjen e të paktën dy litrave ujë gjatë ditës për të shmangur vapën dhe të mos dilet jashtë, veçanërisht nga ora 11:00 deri në 15:00.
Në të njëjtët muaj të vitit të kaluar, nga nxehtësia ekstreme në gjithë Meksikën kishin vdekur 38 persona. Shërbimi Meteorologjik Kombëtar (SMN) ndau informacionin se Meksika “përjetoi ditët më dëshpëruese të viteve të fundit”.Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) gjithashtu ka njoftuar se ka një rritje të vazhdueshme të vapës dhe se bota duhet të jetë gati për valë më intensive të të nxehtit.