Connect with us

Aktualitet

Në nerva e sipër qëlloi disa herë me thikë gruan, gjykata lë në burg 52-vjeçarin (EMRI)

Gjykata e Tiranës la në burg 52-vjeçarin Jakup Shahu i cili disa ditë më parë plagosi me thikë në qafë e trup bashkëshorten Edlira Shahu.

Autori nuk është i panjohur për Policinë pasi ishte dënuar me 13 vite burg për një vrasje në Selitë të Tiranës në 2011 si dhe për dhunë para gjashtë muajsh.

Arsyeja e plagosjes mësohet të ketë qenë xhelozia, ndërkohë që autori në Gjykatë është shprehur se nuk kishte për qëllim ta qëllontë gruan e tij, dhe se ndodhi për shkak të një debati.

“Nuk doja ta qëlloja, por u nxeha. E qëllova në debat e sipër”, mësohet të jetë shprehur Shahu në gjykatë disa ditë më parë.

Njoftimi i plotë i gjykatës:

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Më datë 23.05.2024, rreth orës 04:00, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit me iniciale J.Sh, i cili pas një konflikti të çastit në banesën e tij në Rrugën “Hysen Xhura”, ka qëlluar me mjet prerës (thikë) në disa pjesë të trupit bashkëshorten e tij shtetasen me iniciale E. Sh, duke i shkaktuar asaj dëmtime të rënda

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin si të ligjshëm të arrestimin në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, ndaj personit nën hetim shtetasit me iniciale J. Sh, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” e mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 79/c dhe 22 të Kodit Penal.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1378 Regj. Them, datë 25.05.2024, ka vendosur:

1. Vlerësimin si të ligjshëm të arrestimit në flagrancë të shtetasit J. Sh.
2. Caktimin si masë sigurimi personal ndaj shtetasit J. Sh “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 të K.Pr. Penale lidhur me hetimet për kryerjen e veprës penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” e mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 79/c dhe 22 të Kodit Penal.
3. Ngarkohet Policia Gjyqësore për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim me iniciale J. Sh, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit në lidhje me caktimin masës së sigurimi personal, duke caktuar arrest në burg me afat.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 18.06.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Valbona Vata, vendosi:

-Miratimin e vendimit me nr. 1378 regj.them, datë 25.05.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Advertisement