Aktualitet
Në paqe me shqiptarët, boshnjakët, kroatët dhe veten/ Flet Çedomir Jovanoviç
Bartësi i listës zgjedhore “Duhet të veprojmë ndryshe”, Çedomir Jovanoviç ka thënë se ‘Serbia ka nevojë për paqe, që do të thotë paqe me shqiptarët, boshnjakët dhe kroatët’ dhe se “Evropa është një emër tjetër për paqen”.
“Ky popull dhe Serbia e vuajtur kanë nevojë për këtë. Ndjeva duke folur në Serbi se fëmijët tanë duhet të jenë brezi i parë i këtij kombi që ka lindur në paqe dhe që jeton jetën në paqe. Dhe në mënyrë që ata ta jetojnë jetën në paqe, duhet që edhe ata rreth tyre duhet të jenë në paqe. Ne duhet të jemi në paqe me shqiptarët, boshnjakët, kroatët dhe në fund duhet të jemi në paqe me veten, sepse sot jemi armiqtë më të mëdhenj të vetes sonë” – ka theksuar Jovanoviç .
Më herët, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim politikanin liberal nga Serbia, Çedomir Jovanoviç.
Kurti e Jovanoviç diskutuan dje mbi nevojën e fuqizimit të sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor, rëndësinë e demokratizimit të shoqërive dhe institucioneve, pluralizmit politik, respektimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave kombëtare si garant të paqes dhe sigurisë në gjithë rajonin.
“Kurtin e njoh prej 30 vitesh. Ai dhe unë kemi kaluar shumë gjëra në jetën tonë dhe pas këtyre bisedave besoj se gjaku i derdhur në Banjskë është gjaku i fundit i derdhur në konfliktin mes popullit serb dhe shqiptar në Kosovë. Se kockat që mbetën aty dhe jetët e humbura janë të fundit, dhe janë çmimi që paguajmë për keqkuptimin historik të dy popujve tanë” – ka shkruar Jovanoviç në një postim në rrjetin social X.