Connect with us

Kosova

Në Parlamentin e Kosovës, aty ku mungon turpi/ 18 takime mbi një tavolinë bixhozi

“Deputetët e dale nga zgjedhjet e 9 shkurti në Kosovë janë mbledhur për të tetëmbëdhjetën herë dhe kanë dështuar sërish. E kanë kthyer Kuvendin e Republikës në një skenë estrade me mikrofonë të ndezur e mendje të fikura. Nuk kërkojnë vota për të qeverisur por për të vonuar fundin. E kanë kthyer votën në mjet për të organizuar një rrëmujë të madhe, ku askush nuk merr përgjegjësi dhe të gjithë luajnë me shtetin si në një tavolinë bixhozi” – keshtu shkruan ne editorialin e tij te fundit analisti i njohur Baton Haxhiu.

Sipas tij, në prapaskenë është bërë pazari i madh, me qëllim të shkohet edhe njëherë në zgjedhje. Po kësaj here të bashkohen të gjitha. Lokalet me të përgjithshmet.

“Dhe ndërkohë që ata llogarisin se kush do marrë më shumë vota në zgjedhje, vendi po rrënohet. Po humbasin miliona çdo ditë. Projektet po ngrijnë. Investimet po ndalen. Qytetarët po ikin. Kosova po mbetet pas. Maqedonia e Veriut po ecën përpara me gjithçka që ka. Shqipëria po ndërton aeroporte dhe porta të mëdha tregtare. Ndërsa ne Kosove ndërtohen vetëm alibi për të mos punuar. Po shkatërrohet gjithçka që është ndërtuar. Jo nga ndonjë armik. Po nga këta që mbajnë mandatin në xhep dhe votën si flamur të djegur” – ka theksuar analisti politik

“Por historia nuk i harron ata që shkatërrojnë vendin e tyre me vetëdije. I shënon si fajtorë. Dhe një ditë, edhe gjyqi i publikut do të jetë më i pamëshirshëm se çdo vote” – ka potencuar Baton Haxhiu

SHKRIMI I PLOTE

Fjalën “bastard” nuk e përdor në përditshmëri. Aq më pak në shkrimet e mia. Dhe akoma më pak në titull. Tani që më duhet ta nis shkrimin me këtë fjalë, duke e pasur edhe në titull, mund ta merrni me mend se e bëj për shkak të një ndjesie që nuk përballohet ndryshe. Kur them bastard, nuk është provokim, por vetëdije. Sepse kjo gjuhë nuk është më e rëndë se realiteti që përshkruan. Është pasqyrim i një shkatërrimi të padurueshëm.

Nuk gjeja shprehje më përshkruese për këta njerëz që, thonë se përfaqësojnë popullin, por nuk kanë ndonjë nguti për themelimin e institucioneve dhe Kosovën e krahasojnë me Belgjikën, që s’ka bërë qeveri për tri vjet, sikur Kosova të jetë një monarki me rezervë valutore, jo një shtet i mbijetesës.

Janë mbledhur për të tetëmbëdhjetën herë dhe kanë dështuar sërish. E kanë kthyer Kuvendin e Republikës në një skenë estrade me mikrofonë të ndezur e mendje të fikura. Nuk kërkojnë më votë për të qeverisur por për ta vonuar fundin. E kanë kthyer votën në mjet për të organizuar një rrëmujë të madhe, ku askush nuk merr përgjegjësi dhe të gjithë luajnë me shtetin si në një tavolinë bixhozi.

Në prapaskenë është bërë pazari i madh. Të shkojmë edhe njëherë në zgjedhje. Po kësaj here t’i bashkojmë të gjitha. Lokalet me të përgjithshmet. Qeveria me komunat. Çdo gjë të përzihet, të trazohet, të ngatërrohet. Dhe kështu të shpëtojnë të gjithë nga përgjegjësia. Albin Kurti kërkon ta mbulojë rënien në nivel lokal me një fitore në nivel qendror. Opozita nuk ka guxim ta marrë pushtetin. Sepse nuk ka vullnet, nuk ka ide, nuk ka projekt. Dhe mbi të gjitha sepse ka frikë nga Asociacioni dhe dialogu me administratën Trump që do t’i zbulojë të gjithë. Më mirë pa qeveri sesa me barrë.

Dhe ndërkohë që ata llogarisin se kush do marrë më shumë në zgjedhje, vendi po rrënohet. Humbim miliona çdo ditë. Projektet që kanë nisur po ngrijnë. Investimet po ndalen. Qytetarët po ikin. Kosova po mbetet pas edhe në krahasim me Serbinë që veçse ishte në krizë. Maqedonia e Veriut po ecën përpara me gjithçka që ka. Shqipëria po ndërton aeroporte dhe porta të mëdha tregtare. Ndërsa ne ndërtojmë vetëm alibi për të mos punuar. Po shkatërrohet gjithçka që është ndërtuar. Jo nga ndonjë armik. Po nga këta që mbajnë mandatin në xhep dhe votën si flamur të djegur.

Pastaj dalin dhe i flasin publikut. E kthejnë çdo mikrofon në shfajësim. Thonë se po presin kompromis. Po bëjnë përpjekje. Po konsultohen. Po llogarisin. Po i shërbejnë shtetit. Dhe ndërkohë, shteti nuk është më. Kuvendi është bosh. Qeveria është në dorëheqje. Presidenca është dëshmitare e pafuqishme. Dhe qytetarët janë të vetëm.

A ia vlen të votohet për këta bastardë?

Për këta që i marrin votat dhe i përdorin për t’u bërë të pazëvendësueshëm. Për këta që nuk turpërohen as kur dështojnë, as kur gënjejnë, as kur e shesin krizën si reformë. Shteti nuk mund të mbijetojë me të njëjtët njerëz që po e shkatërrojnë çdo ditë. Nëse qytetarët nuk i refuzojnë me gjithë peshën e përbuzjes që meritojnë, atëherë çdo zgjedhje do të jetë vetëm një akt i ri i të njëjtit teatri.

Në këtë vend nuk mungon kushtetuta. Nuk mungon vota. Mungon vetëm turpi. Dhe kur turpi vdes, gjithçka tjetër është gënjeshtër e dekoruar me flamur. Ndërkohë që këta mbajnë peng njëri-tjetrin për poste dhe mikrofonë, ekonomia e vendit po futet në një fazë të pakthyeshme degradimi. Nuk mund të quhet stagnim, por rrëzim. Theqafje.

Miliona euro që do të duheshin për rrugë, për infrastrukturë, për energji, për shëndetësi, po mbeten në letra. Asnjë projekt nuk ecën në një vend ku nuk ka qeveri funksionale, ku Kuvendi nuk ekziston, dhe ku çdo vendim shtyhet sepse nuk ka kush të votojë. Buxheti është kthyer në një dokument të kotë, ku nuk guxon askush të prekë asgjë nga frika se nesër mund të vijë dikush tjetër dhe t’ia numërojë.

Investitorët nuk vijnë në një vend pa institucione. Projektet ndërkombëtare nuk zbatohen në një shtet që, përtej letrave, nuk ekziston. Gjeneratat e reja nuk rrinë aty ku nuk ka as perspektivë, as stabilitet, as shtet. Dhe krimi rritet pikërisht kur shteti nuk është i zënë me rregulla, por me kalkulime për zgjedhje. Të gjitha këto nuk janë pasojë e ndonjë force të jashtme. Janë dëme të drejtpërdrejta të një klase politike që ka vendosur të mos bëjë asgjë.

Në vend të zhvillimit, kemi vetëm konsum politik. Në vend të investimeve, kemi pazare. Në vend të reformës, kemi vonesë. Në vend të përgjegjësisë, kemi heshtje. Dhe kur qytetarët shikojnë që për muaj të tërë nuk ka ndodhur asgjë, atëherë e vetmja gjë që nxitin këta politikanë është dëshira për t’u harruar në kohë. Por historia nuk i harron ata që shkatërrojnë vendin e tyre me vetëdije. I shënon si fajtorë. Dhe një ditë, edhe gjyqi i publikut do të jetë më i pamëshirshëm se çdo votë.

Advertisement