Kronike
“Në qendër Ervis Martinaj”/ SPAK goditi 7 grupe kriminale, aleancat dhe rivalitetet mes tyre (EMRAT)
SPAK ka reaguar pak më herët me një njoftim zyrtar lidhur me operacionin e shtrirë edhe në vendet europiane për goditjen e eksponentëve të krimit.
Sipas njoftimit janë goditur 7 grupe të strukturuara kriminale, me në qendër grupin e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt, i cili ishte në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga ish-deputet Arben Ndoka.
Gjithashtu bëhet me dije se në zonën e Fushë-Krujës vepronte grupi i Durim Bamit i cili ishte në konflikt të hapur me grupin e Martinajt dhe Ndokës. Grupi i Bamit bëri aleancë me një grup kundërshtar të Martinajt që drejtohet nga Leonard Duka dhe Fatmir Hyseni, persona me precedentë të theksuar kriminal me qëllim vrasjen e Martinajt dhe Ndokës dhe anëtarëve të tjerë të këtyre grupeve kriminale.
Hetimet kanë evidentuar ekzistencën edhe të një grupi tjetër kriminal të drejtuar nga Edison Reçi. Ky shtetas me qëllim hakmarrje ka organizuar vrasjen e Preng Gjinit.
PJESË NGA NJOFTIMI I SPAK:
Cilësojmë se, këto grupe kriminale dyshohet se kanë kryer veprat penale me pasoja të rënda të jetës dhe shëndetit, si edhe në drejtim të pasurisë. Disa nga veprat penale më serioze për të cilat këto grupe po hetohen janë: “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë e kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit atë të “Sigurimit të kushteve dhe të mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kultivimi i bimëve narkotikeve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, , “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”, “Sigurim i kushteve për kryerjen e vrasjes”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”etj.
Ajo që është karakteristikë për këta grupe kriminale është dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve, si dhe pasojat shumë të rënda të ardhura nga këta veprime kriminale. Pjesëtarë të një grupi kriminal në raste të ndryshme bashkëpunojnë me grupe të cilët janë kundërshtarë të njëri – tjetrit.
Në qendër të këtyre grupeve kriminale është grupi kriminal i krijuar dhe drejtuar nga shtetasi E.M., i cili është në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga shtetasi A. N. Këta dy grupe kriminale, për arritjen e qëllimit kriminal kanë kontaktuar anëtarë të një grupi tjetër kriminal i cili vepronte në qytetin e Durrësit. Gjithashtu, të dy këto grupe kriminale kanë rekrutuar vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe në zonën e Burrelit. Po kështu për të realizuar qëllimet kriminale E.M., kontakton shtetasin V.I., i cili sapo kishte përfunduar vuajtjen e dënimit me burgim i kërkon vrasjen e shtetasit F.H. Në ndihmë të grupeve kriminale të drejtuara E.M. dhe A.N., vijnë edhe shtetasit E.Sh. dhe A.A., të cilët edhe pse në kushtet e paraburgimit ndihmojnë E.M. dhe A.N., në realizimin e qëllimit kriminal që është vrasja e D.B. etj.
E.SH. kontakton me të hetuarin T. B., të cilit i kërkon vrasjen e D.B. Po kështu E.SH., siguron informacione për lëvizjet e D. B. Dhe këto informacione i’a vë në dispozicion shtetasit A.N.
Nga ana tjetër në zonën e Fushë Krujës spikat grupi kriminal i drejtuar nga shtetasi D. B., i cili shfaqet në konflikt të hapur me grupet kriminale të drejtuara nga shtetasit E.M. dhe A.N. Grupi kriminal i drejtuar nga D.B., bën aleancë me një grup kundërshtar të shtetasit E.M., dhe që drejtohet nga shtetasit L.D. dhe F.H., persona me precedentë të theksuar kriminal me qëllim vrasjen e E.M. dhe A.N. dhe anëtarëve të tjerë të këtyre grupeve kriminale.
Hetimet kanë evidentuar ekzistencën edhe të një grupi tjetër kriminal të drejtuar nga shtetasi E.R. Ky shtetas me qëllim hakmarrje ka organizuar vrasjen e shtetasit P.Gj., ku në datën 15.09.2020, ky i fundit ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e shpërthimit me eksploziv të automjetit me të cilin udhëtonte. E.R., ka rekrutuar si pjesë të grupit shtetasit E.D., B.Xh. etj., të cilëve ju kishte premtuar një shumë të konsiderueshme parash me qëllim vrasjen e shtetasit P.Gj.
Shtetasi K.Sh., me detyrë me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë, Lezhë, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal ndihmonte shtetasin E.R., duke i dhënë informacion në lidhje me automjetet dhe hyrje-daljet e shtetasit P.Gj.
Hetimi ka nxjerrë në pah se, këto grupe kriminale ishin në gjendje të paguanin shuma të mëdha parash me qëllim realizimin e vrasjes të kundërshtarëve të tyre. Mënyra e kryerjes së veprave penale tregon gjithashtu një shkallë shumë të lartë organizimi dhe rrezikshmërie shoqërore.