Aktualitet
‘Në Shqipëri hyjnë lëndë të ndaluara’/ Gazetari i njohur ngre dyshimet
Në Shqipëri mund të kenë hyrë lëndë të ndaluara që deklarohen në dogana me kode të tjera, si materiale të lejuara sepse përdoren në industrinë e përpunimit.
Gazetari Klodian Tomorri tha se një informacion i tillë duhet konfirmuar, por rasti i eksportit të mbetjeve drejt Kinës dhe Tajlandës ka zbuluar se skandali mund të jetë shumë më i madh sesa kaq.
“E patë çfarë ndodhi një ditë më parë me doganën. Doli në deklaratë dhe tha që mbetjet e bllokuara në kinë nuk janë ngarkesë nga Shqipëria, por kanë kaluar tranzit nga Kosova. Për rastin e Tajlandës askush nuk bënte transparencë por publikon gjysmë informacione me qëllim për të krijuar konfuzion.
Skandali është i qartë: porti i Durrësit është një han pa porta. Shqetësimi i madh është se ky port dhe këto autoritete që nuk garantojnë sigurinë dhe kontrollin e mallrave, si e garantojnë këta sigurinë e asaj që hyn në Shqipëri. Ka informacione që duhet të konfirmohen, se në Shqipëri kanë hyrë lëndë të ndaluara që deklarohen në dogana me kode të tjera, si materiale të lejuara sepse përdoren në industrinë e përpunimit.
Nuk mund të realizosh eksport lëndësh të rrezikshme apo import pa korruptimin e institucioneve të ngarkuara nga ligji për të kontrolluar sigurinë e shkëmbimit të mallrave. Ajo që ka ndodhur është e qartë. Ato janë mbetje të prodhuara nga Kurum, kjo ia ka shitur kompanisë Sokolaj shpk, por me një dyshim të madhe sepse në fatura ngarkesa është deklaruar si oksid hekuri, por ajo ka qenë mbetje furrnalte.” – tha Tomorri.
Rasti në fjalë, sipas Tomorrit, ngre shumë dyshime në lidhje me trajtimin e mbetjeve të Kurum para zbulimit të ngarkesës së fundit.
“Në fatura e kanë deklaruar si oksid hekuri. Deklarata është e falsifikuar. Doganat janë informuar që në korrik. Dikush ka sinjalizuar rrjetin e Bazelit, që u ka nisur kërkesë autoriteteve shqiptare, të cilat nuk janë treguar bashkëpunuese. Tregtia e këtyre mbetjeve nëse bëhet sipas rregullave dhe protokolleve nuk është problem. Por duhet që kompania që i merr të ketë kapacitetet e përpunimit. Këta kanë zgjedhur dhe kjo është çështje fitimi dhe kostosh, duan ta bëjnë në mënyrë të paligjshme, sepse kështu fitojnë më shumë. Ne nuk e dimë çfarë ka ndodhur më parë me mbetjet që prodhon Kurumi sepse Kurumi nuk erdhi dje.” – tha gazetari.
Tomorri theksoi nevojën e një hetimi të thelluar me të cilin duhet t’i jepet përgjigje shqetësimit të qytetarëve.
“Kërkohet një investigim i hollësishëm dhe transparencë totale që qytetarët të marrin përgjigje për shqetësimet që ata kanë. Nga burimet kemi mësuar se në portin e Durrësit është lejuar import i skorjeve të aluminit. Këtu ka shkuar puna që evazioni konsiderohet si krimi më i lehtë. Nuk bëhet fjalë për fshehje taksash se kjo është bërë e zakonshme. Shqipëria nuk e ka teknologjinë për t’i përpunuar. Fakti që do të kthehen në Shqipëri përbën një shqetësim më shumë që kjo çështje të hetohet në detaje në mënyrën më transparente të mundshme.” – tha Tomorri.