Politike
“Ne shtetin e kemi për hall, na gjobit”/ Lapaj : Do t’i heqim me ligj tatimorët për biznesin e vogël

Kreu i Partisë “Shqipëria Bëhet” ishte sot në një takim me banorët e Drenovicës në Berat, ku u shpreh se shteti këtu te ne është vetëm për hall, sepse të vjen si polic vetëm për të gjobitur.
Lapaj gjithashtu përmendi faktin që u përpoqën ta joshnin, por kur nuk e arritën dot, nisën shantazhimet. Prandaj Lapaj bëri thirrje për të bërë ndryshimin e sistemit.
Pjesë nga fjala e Lapajt në Berat:
“Ne shtetin e kemi për hall, se kur na vjen te dera e shtëpisë apo te biznesi, vjen duke vënë gjoba. Shteti na mohon të drejtat tona, mohon të drejtën e pronës. Pse kur shqiptarët ikin jashtë janë të suksesshm? Sepse atje shteti vendoset në funksion të së mirës, jo si këtu.
Këtu shteti na ka lënë në mjerim, prandaj është koha për ndryshim. Shteti, pasi nuk më joshi dot, filloi presionin dhe shantazhet, por unë Adriatik Lapaj nuk trembem, sepse tani nuk i përkas vetëm familjes time, por edhe juve që më mbështesni. Le ta shpartallojmë këtë sistem!
Do të ndalim kontrabandën dhe do të subvencionojmë prodhimet për ju fermerët, në mënyrë që ju mos shkoni të merrni kredi dhe produktet e juaja të kenë garanci në treg. Do të ndërtojmë shtetin e së drejtës, shtetin në të mirë të biznesit të vogël, do t’i heqim me ligj tatimorët për biznesin e vogël.
Do të subvencinojmë 300 milionë euro për bujqësinë në vit, në mënyrë që fëmijët tuaj të vijnë të punojnë e jetojnë në tokat e veta dhe jo në emigrim. Do të hapim Bankën Agrare për kreditë e buta me garant shtetin. Ne nuk jemi në garë për pushtet, por për mirëqenie” – u shpreh ndër të tjera Lapaj.

