Bota
‘Ne si amerikanë duhet të festojmë!’/ Sulmet amerikane në Iran, sekretari amerikan i Mbrojtjes e quan sukses

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e ka quajtur një sukses të vërtetë historik bombardimin e Iranit dhe vendimin e presidentit Donald Trump, për të dhënë dritën jeshile për këtë sulm, e ka quajtur ndryshues të rregullave të lojës.
Në një konferencë shtypi të jashtëzakonshme në Pentagon, e cila vjen pas Samitit të NATO-s në Hagë, Hegseth tha se ajo çfarë Trump ka arritur tashmë, është historike.
Ai i kritikoi rrjedhjet e informacionit rreth përshtypjeve të para të Inteligjencës amerikane për sulmin në Iran, ku thuhej se ato kishin pasur sukses të limituar. Nga ana tjetër, garantoi publikun për suksesin “e jashtëzakonshëm” të sulmeve në tre centrale bërthamore iraniane.
Duke cituar një raport të zbulimit, Hegseth tha se ishte një vlerësim “paraprak” dhe mediat kishin një “agjendë” për ta bërë të dukej sikur sulmi i Amerikës ndaj objekteve bërthamore iraniane nuk dëmtoi aq sa tha Shtëpia e Bardhë se kishte bërë.
Hegseth e kritikon mbulimin e raportit paraprak, duke sugjeruar se kishte boshllëqe në të dhe se nuk ishte koordinuar me komunitetin e gjerë të zbulimit.
Më pas, Hegseth vazhdoi të citojë agjenci të ndryshme mbi dëmin e shkaktuar nga sulmet amerikane.
Ai tha se Agjencia Atomike e Izraelit tha se sulmi amerikan “i bëri objektet [iraniane] të pasurimit të paoperueshme”.
Hegseth citon kreun e mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së të ketë thënë se programit bërthamor të Iranit iu shkaktuan “dëme të mëdha”. Dhe ai shton se CIA konsideron se programi bërthamor i Iranit “është dëmtuar rëndë”.
Sekretati amerikan përfundoi duke akuzuar median se po shtrembëron informacionin rreth sulmeve për t’i bërë ato të duken të pasuksesshme.
“Është e papërgjegjshme”, tha ai, ndërsa vlerëson ata që janë përfshirë në misionin “kompleks”. “Po sikur ta festojmë këtë?”, pohoi ai. “Ky ishte një sulm historikisht i suksesshëm dhe ne duhet ta festojmë si amerikanë”.
Hegseth tregoi po ashtu në konferencën për shtyp rreth angazhimit të NATO-s për të shpenzuar 5% për mbrojtje dhe siguri kombëtare.
Ai tha se kjo “dukej e pamundur” pesë vjet më parë “por ja ku jemi”, për shkak të lidershipit të Trump.

