Connect with us

Shkrime

Në veri të Kosovës po riaktivizohet një konflikt i ngrirë, ndaj s’ka vend politika ‘njeri pakoit e tjetri çekanit’

Nga Çapajev Gjokutaj

Nga dolen gjithe ato armë e municione që policia e Kosovës kapi në Banjsko dhe i ekspozoi para kamerave? Shumica e njoftimeve thonë se ishin në makinat që terroristët serbë kishin me vete. Wesly Clarck, njeriu që komandoi bombardimet e Natos kundër Serbisë në 1999, thotë një version tjetër në një intervistë tek Zëri i Amerikës. “Ajo që është më shqetësuese për mua – tha gjenerali në pension – është se pas incidentit, rezultoi që kishte një grumbullim të madh armësh në manastirin serb. Kjo ka ndodhur edhe më parë. E dimë nga përvoja në vitet 1990  se manastiret kanë qenë strehë e nacionalizmit serb. Kjo pervojë nuk e përjashton përdorimin e tyre si arsenale. Kjo është gjëja më shqetësuese. Shpresoj që KFOR të insistojë që manastiret të inspektohen dhe arsenalet të konfiskohen, sepse në një klimë të tillë nuk mbete vend për të arritur marrëveshjen e autonomisë të qytetarëve serbë të Kosovës”. Vështirë të thuash nëse gjenerali Clarck ka informacion për armë që ruheshin në manastirin e Banjskos apo supozon mbështetur në përvojat e viteve ‘90. Parë në kontekstin e intervistës ngjan të jetë më shumë kjo e dyta. Gjithsesi të bën përshtypje se Kisha Ortodokse Serbe e ka mohuar aty për aty deklaratën e Clarck. “Një inspektim i hollësishëm i objekteve të manastirit i kryer nga Policia e Kosovës dhe EULEX-i në prani të igumenit Danilo – thotë një deklaratë e dioqezës KOS – konstatoi se brenda manastirit nuk kishte asnjë armë”. Sipas dioqezës armët ishin lenë nga terroristët në oborrin e një ndërtese të manastirit. Po kështu të bën përshtypje se ditën e përplasjes, kur rreth manastirit të Banjskos vazhdonin akoma të shtënat, dioqeza lëshoi një deklaratë që thoshte se serbët e armatosur kishin hyrë me dhunë në hapsirat e manastirit. Thuhet se po bëhet një hetim ndërkombtar për të gjetur se ç’përfaqsonin terroristët dhe kush i mbështeti dhe i nxiti. Gjithsesi nuk ka nevojë për hetim të dish se Mitrovica dhe Kosova e Veriut, përditë e më shumë gjatë dy dekadave të fundit, kanë marrë trajtën e një konflikti të ngrirë, konflikt që mund të ndizet në çdo çast. Përballë këtij realiteti shqetsues, ku pala serbe duket e mirëkordinuar në të gjitha strukturat legale e ilegake, politika shqiptare në Prishtinë e në Tiranë duhet të bashkëpunojë ngushtë për strategji e taktika të njësuara dhe jo të vazhdojë avazin  “njeri pakoit e tjetri çekanit”.

Advertisement