Connect with us

Politike

Negociatat me BE-në/ Rama tregon prapaskenat: Di apo s’di! E bën apo s’e bën, kisha frikë se do lëmë nam

Kryeministri Edi Rama ka treguar disa nga prapaskenat gjatë rrugëtimit për të hapur negociatat me Bashkimin Evropian. Gjatë fjalës së tij, Rama thekson se në momentin që do të hapeshin negociatat, kishte frikë se çfarë do të bënim më pas. Por siç theksoi Rama administrata e vendit mori duartrokitje nga Brukseli.

“Ministria ka një barrë shumë të madhe në procesin e negociatave të anëtarësimit. Është pozitive që në krye vjen një ndër negociatorët tanë më të dalluar, i cili ka mbuluar atë pjesë të llogores së negociatave që i përkiste Ministrisë së Brendshme. Por këtu ka kapacitete dhe këtu janë edhe sfidat që lidhen me themeloret. Përtej kësaj, Ministria e Drejtësisë ka edhe plot sfida të tjera që lidhen me sistemin penitenciar, me gjithë problematikat dhe nevojat e atij sistemi ku është bërë një punë e jashtëzakonshme, por ku nuk duhet të na interesojë çfarë është bërë, por çfarë do bëjmë dhe mundësitë janë që të bëjmë shumë dhe më mirë. Ambicia dhe dëshira nuk kanë rënë, por janë edhe më të mëdha sot.

Suksesi ynë varet shumë nga kontributi i secilit prej jush. Negociatat për anëtarësimin, neve na kanë vënë para syve një realitet që nuk e njihnim siç duhej. Realitetin e një fuqie profesionale të konsiderueshme në administratën tonë publike. Sepse ballafaqimi ynë me Brukselin nuk të lë të fshihesh as të mundëson që të bësh makijazh. Di apo s’di! E bën apo s’e bën! Afro 1000 vajza e djem të shërbimit tonë civil dhe të institucioneve të përballeshin me procesin e skanimit të situatës dhe të çonin në çeljen e negociatave duke marrë duartrokitje nga Brukseli kjo ishte surprizë shumë e mirëpritur. Ndërkohë që frika ime ishte çfarë do bëjmë kur të hapen negociatat se do lëmë nam.

Edhe unë isha i influencuar nga e gjithë thashethemnaja e përditshme dhe marrja nëpër gojë dhe fjalët e pamerituara që qarkullojnë nëpër gjithë kanalet e infektuara të informacionit për administratën tonë. Të dilte me duartrokitje, kjo është arsye shumë e fortë për t’u ndjerë të motivuar dhe mund të bëjmë shumë më tepër e shumë më mirë. Të gjithë ata që morën pjesë ishte një provim sfidues. Këtë lloj sfidimi të fortë duhet t’ja bëjmë vetes çdo ditë”, tha Rama.

Advertisement