Connect with us

Shkrime

‘Nëse Rusia thyen Ukrainën, Moska do diktojë fatin e Europës, pasoja strukturore të fitores ruse’

Nga Red Varaku

“Në histori nuk ka asgjë më të shtrenjtë sesa paqja e blerë me kapitullim.”

Gjeopolitika nuk lejon vakum. Çdo territor i neglizhuar nga një aleancë, menjëherë absorbohet nga një tjetër. Ndaj beteja në Ukrainë nuk është një përplasje periferike, por momenti përcaktues i arkitekturës së sigurisë së shekullit XXI. Nëse Ukraina bie, balanca e fuqisë në Euroazi ndryshon në mënyrë të pakthyeshme.
Ukraina është çelësi i Rusisë për Evropën. Është nyja e gazit, drithit, industrisë dhe porteve të Detit të Zi. Nëse Rusia arrin ta vendosë këtë territor nën kontroll, ajo jo vetëm që zgjidh problemet e saj ekonomike dhe ushtarake, por më e rëndësishmja fiton avantazhin strategjik për të imponuar vullnetin e saj mbi kontinentin europian.
Nuk ka dyshim që në rast disfate të Ukrainës dominimi rus në Detin e Zi bëhet i plotë. Kjo do të thotë kontroll ndaj rrugëve energjetike, ushqimore dhe ushtarake drejt Mesdheut dhe Lindjes së Afërt.
Ndërkaq, në rast fitoreje të Rusisë vetë Aleanca e NATO-s do të duhet të kalojë nga doktrina e frenimit, te doktrina e mbrojtjes së frikshme, një situatë e ngjashme me Gjermaninë Lindore gjatë Luftës së Ftohtë.
Ndërsa Evropa do të mbetet e varur ndaj tekave gjeopolitike të të Moskës. Frika e një ndërhyrjeje ushtarake, ndërprerjes energjetike ose destabilizimit politik do të shndërrohet në instrument permanent të presionit rus.
Kjo më pas do prodhojë në mënyrë të pashmangshme shpërbërjen e rendit europian. Shtetet e Balltikut do ta shohin veten në vijën e parë. Polonia do të detyrohet të riarmatosej deri në nivel të mobilizimit luftarak. Serbia dhe Hungaria do të futen më thellë në orbitën ruse. Ndërsa Gjermania dhe Franca, të varura nga stabiliteti ekonomik, do të përballen me presion për marrëveshje politike me Kremlinin, siç në fakt po ndodh.
Kjo nuk do të ishte paqe ,do të ishte nënshtrim sepse kur fuqia ushtarake nuk është e balancuar, diplomacia është iluzion.
Sigurisht ,vendimtar në këtë ekuacion gjeopolitik mbetet roli i SHBA. Nëse SHBA heziton ose tërhiqet Rusia do të fitojë jo vetëm territor, por edhe prestigj ndërkombëtar. Për pasojë Kina, Irani apo Koreja e Veriut do ta interpretonin dobësinë perëndimore si mundësi veprimi.
Kjo është arsyeja pse fitorja e Ukrainës nuk do të ishte vetëm morale, por matematikë e pastër strategjike.
Ndaj, rezistenca e Ukrainës nuk bëhet për idealizëm, por për logjikë të pastër të fuqisë. Nëse Ukraina mbijeton, Europa mbetet e pavarur. Nëse Ukraina bie, Rusia fiton instrumentet për të diktuar fatin e kontinentit dhe për rrjedhojë fatin e Euroazisë dhe fatin e botës. Ndaj, nëse bie Ukraina përballja Rusi- Europë është e pashmangshme.

Advertisement