Connect with us

Aktualitet

Nesër nis muaji i shenjtë i Ramazanit, kreu i KMSH mesazh: Sjellë begati, paqe dhe harmoni!

Besimtarët myslimanë në mbarë botën do të nisin nesër, më 1 mars agjërimin për muajin e shenjtë të Ramazanit. Gjatë këtij muajit të bekuar, besimtarët myslimanë mbajnë agjërim. Dita e parë e Ramazanit nis nesër më 1 mars, deri më më 29, ndërsa më 30 mars, besimtarët do të festojnë Fitër Bajramin.

Para nisjes së agjerimit, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë besimtarët.

Të nderuar vëllezër dhe motra besimtare, Nesër, më 1 mars, fillon muaji i shenjtë i Ramazanit, një muaj i bekuar reflektimi, përkushtimi dhe pastrimi shpirtëror. Me zemrën plot mirënjohje ndaj Krijuesit të gjithësisë, i Cili na mundësoi ta arrijmë sërish këtë muaj të shenjtë, ju përcjell urimet më të përzemërta për një agjërim të lehtë dhe të pranuar, si në emrin tim personal, po ashtu edhe në emër të institucionit që unë drejtoj.

Ky muaj na fton të ndalemi dhe të reflektojmë mbi mirësitë e panumërta që Zoti na ka dhuruar. Është një mundësi e artë për të shprehur falënderim ndaj Tij, për të kultivuar durimin, për të rivitalizuar lidhjen tonë me Kuranin Famëlartë dhe për të rrezatuar dashuri ndaj të tjerëve. Ramazani është gjithashtu muaji i solidaritetit dhe i vëllazërisë. Ai na kujton përgjegjësinë tonë ndaj atyre që kanë nevojë për ndihmën tonë dhe na fton të tregojmë bujari, dhembshuri dhe kujdes për më të dobëtit. Në këtë muaj të shenjtë, le të forcojmë jo vetëm lidhjet tona me familjen dhe të afërmit, por edhe me shoqërinë në tërësi, duke e bërë komunitetin tonë më të ndjeshëm dhe më të bashkuar. Allahu (xh.sh.) thotë në Kur’an: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu siç u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.”

(Sureja El-Bekare, ajeti 183)

Ky mesazh hyjnor na rikujton se agjërimi nuk është vetëm një sakrificë fizike, por një proces i thellë shpirtëror, që synon ndërtimin e një personaliteti të qëndrueshëm, të devotshëm dhe të mbushur me vlera të larta morale. Të dashur besimtarë shqipfolës, kudo që jetoni e punoni, uroj që ky muaj i shenjtë të sjellë begati, paqe dhe harmoni në familjet tona dhe në mbarë shoqërinë. Lusim Allahun Fuqiplotë që të na japë forcë, përkushtim dhe sinqeritet për ta jetuar këtë muaj në mënyrën më të mirë të mundshme, duke përfituar nga mirësitë dhe begatitë e tij të shumta. Gëzuar muajin e bekuar të Ramazanit,”- shprehet Spahiu.

Çfarë përfaqëson Ramazani?

Nesër nis muaji i shenjtë i Ramazanit, kreu i KMSH mesazh: Sjellë

Për miliona besimtarë, Ramazani është më shumë sesa një traditë fetare – është një ndalesë e domosdoshme në ritmin e shpejtë të jetës. Një mundësi për të reflektuar mbi qëllimin e ekzistencës, për të vlerësuar bekimet e përditshme që shpesh i marrim si të mirëqena dhe për të ushqyer shpirtin me paqe dhe dashuri. Duke iu referuar kalendarit Islam, Ramazani është muaji i nëntë i vitit hënor, një kohë e shenjtë ku, sipas traditës islame, Profeti Muhamed mori shpalljen e Kuranit “si udhërrëfyes për njerëzit me drejtësi dhe shpëtim” .

Agjërimi: Një akt i devotshmërisë dhe vetëkontrollit

Agjërimi është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe një provë e vullnetit dhe përkushtimit. Nga agimi deri në perëndimin e diellit, besimtarët ndalojnë së ngrëni, së piri dhe së kryeri veprime që mund ta shpërqendrojnë shpirtin nga lidhja me Zotin. Por më shumë sesa një kufizim fizik, ky është një ushtrim shpirtëror, një mënyrë për të forcuar vetëdisiplinën, për të pastruar zemrën dhe për t’u afruar me të tjerët përmes dhembshurisë dhe bamirësisë.

Në mbrëmje, me perëndimin e diellit, agjërimi ndërpritet me një gotë ujë dhe hurma, për të vijuar më pas me vaktin tradicional të iftarit. Kjo është një kohë bashkimi me familjen, miqtë dhe komunitetin, ku ushqimi nuk është thjesht një nevojë, por një simbol i mirësisë dhe ndarjes.

Netët e Bekuara

Në 10 ditët e fundit të Ramazanit, besimtarët përjetojnë netët më të rëndësishme të vitit, ku besohet se njëra prej tyre është Nata e Kadrit, nata kur është zbritur shpallja hyjnore. Kjo natë, më e vlefshme se një mijë muaj, është një derë e hapur për falje, mëshirë dhe pranimin e lutjeve. Edhe pse Ramazani zgjat vetëm 30 ditë, vlerat dhe mësimet e tij mund dhe duhet të zgjasin gjatë gjithë vitit. Durimi, dhembshuria, mirësia dhe lidhja e thellë me shpirtin janë thesare të çmuara që mund të na udhëheqin çdo ditë.

Në këtë muaj të bekuar, çdo akt i vogël i mirësisë ka një vlerë të madhe. Dhe në fund të ditës, Ramazani nuk është thjesht një periudhë sakrifice, është një mundësi për të qenë më të mirë, më të përulur dhe më të ndjeshëm ndaj botës që na rrethon.

Agjërim të lehtë dhe të pranuar për të gjithë besimtarët myslimanë!

Advertisement