Connect with us

Politike

Nesho: Rama pengesa kryesore për BE-në, Shqipëria drejt një autokracie me ndikim të krimit

Agim Nesho, ekspert i çështjeve ndërkombëtare, u shpreh se Shqipëria po largohet gjithnjë e më shumë nga rruga europiane, duke akuzuar drejtpërdrejt qeverinë e Edi Ramës si pengesën kryesore të integrimit.
Sipas tij, integrimi në Bashkimin Europian është përdorur si një premtim për të mashtruar qytetarët, ndërsa në realitet vendi po rrëshqet drejt një modeli autokratik, me ndikim të fortë të krimit dhe mungesë të theksuar të standardeve demokratike.
Nesho theksoi se kjo situatë jo vetëm që po dëmton besueshmërinë e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, por po e mban të bllokuar të gjithë rajonin në procesin e integrimit europian.
Pjesë nga deklarata:
Ecuria e Rilindjes dhe e Ramës ka degjeneruar me kohë. Prandaj kemi qenë skeptikë që Rama çështjen e integrimit në Bashkimin Evropian e kishte kalëorin e betejës për të gënjyer këtë popull. E kemi thënë këtu edhe një ditë përpara dhe një ditë pas 11 majit, dhe ai e provoi se, së pari, ka krijuar një platformë të një shteti narkotik. Merret me drogën. Nuk ka asnjë skrupull të bashkëpunojë me Sinaloa-n dhe ta pranojë këtë jo vetëm përpara shqiptarëve, ku tregohet arrogant me gazetarët shqiptarë, por edhe te RAI 3 tha: “Çfarë më erdhi, më kërkoi një licencë kazinoje.” Se sigurisht ato do të bëjnë qarkullim.
Çështja e Ramës është që Rama, me gjithë regjimin e tij, ka filluar të degjenerojë komplet. Dhe kjo, masat që po merr Bashkimi Evropian, nuk është se nuk e kanë ditur, por kanë besuar për t’i dhënë një zgjidhje gjeopolitike këtij rajoni të vështirë, ku dy autokracitë kryesore, si Vuçiçi ashtu edhe Rama në Shqipëri, pengojnë ecurinë e një procesi normal të integrimit të gjithë rajonit drejt Bashkimit Evropian.
Ne sot pamë që një nga qendrat kryesore të demokracisë, që shikon mënyrën e funksionalitetit të shteteve të së drejtës në këto vende, e përcakton Shqipërinë si një autokraci elektorale. Termi para tre vjetësh është përcaktuar në Foreign Affairs, që Rusia, me veprimet e saj dhe mbylljen e demokracisë, quhet një autokraci elektorale. Domethënë, ne, përveçse me Somalinë, është se jemi bërë njësoj si regjimi i Putinit.
Pra, edhe në qoftë se ka një dëshirë nga Bashkimi Evropian për të pranuar Shqipërinë, sepse shqiptarët e meritojnë, janë 90 e ca përqind që dëshirojnë të futen në Bashkimin Evropian, Rama është pengesa kryesore. Kjo është e para. Mënyra e bllokimit dhe çështja që po çohet edhe për një muaj tjetër për të rivendosur se çfarë mase do të jetë për rifillimin dhe përmbylljen e kapitujve të integrimit evropian, unë mendoj që ky është më tepër një justifikim, një reflektim i Ramës që është e pamundur për ta bërë, dhe në tërësi Bashkimi Evropian do që në këtë marrëveshje t’i tregojë popullit shqiptar që ky njeri ka gënjyer, nuk ka punuar për të ardhmen tuaj dhe çështjen evropiane e ka bërë vetëm për të zgjatur një mandat të katërt të tij.
Prandaj, kjo është edhe një thirrje për të gjithë ne. Ne, qytetarët e thjeshtë, që kërkojmë të jetojmë në këtë Shqipëri dhe ta bashkojmë këtë me Perëndimin. Çfarë do të bëjë Rama? Rama e ka treguar variantin e tij. Thirrja e përbashkët me Vuçiçin është jo vetëm një presion ndaj Bashkimit Evropian, sepse janë dy vendet kryesore të Ballkanit Perëndimor. Në qoftë se Evropa jep një zgjidhje për Ballkanin Perëndimor, nuk mund t’i neglizhojë këto dy vende, kur Serbia ka 57% të gjithë prodhimit ekonomik të rajonit, dhe të bëjë një integrim të ndryshëm për Malin e Zi dhe për vendet e tjera.
Domethënë, këta në një farë mënyre bëhen pengesë edhe për të gjithë rajonin tonë për të arritur atje ku, si autokratë që janë, gjithmonë nuk e kanë pranuar që mund të ketë një organizatë ku të jenë pjesë e saj, për të dhënë transparencë dhe llogaridhënie.
Prandaj, ne jemi para kësaj pike që të gjitha këto diskutime që bëhen janë më tepër një refleksion i vonuar, për fat të keq, i Perëndimit ndaj fenomeneve që po ndodhin në Shqipëri, sepse është e pazakontë që ky popull të durojë një regjim për katër mandate me radhë, gjë që nuk ndodh në demokracitë perëndimore.

Advertisement