Connect with us

Politike

Nesho: Rama vasal i Erdoganit, por e fsheh sepse ka frikë nga Perëndimi

Nënkryetari i Partisë së Lirisë Agim Nesho në një intervistë foli për “një politikë vasaliteti” të qeverisë Rama në raport me Erdoganin, ndërsa komentoi deklaratat e kryediplomatit turk për “pastrimin” e gylenistëve nga KMSH-ja.

Nesho vë në dukje se deklarata e ministrit të Jashtëm ishte në vazhdën e qëndrimeve të Erdogan, që sipas tij i kërkoi në mënyrë urdhëruese në Parlamentin e Shqipërisë marrjen e masave kundër FETO-s në vendin tonë.

Sipas Neshos, Rama e konsideron Erdoganin mentor të tij, por e fsheh vasalitetin me Presidentin turk sepse ka frikë nga Perëndimi.

Nesho tha se Shqipëria ka krijuar një lidhje ndërvarësie dhe të dëmshme me Turqinë, duke iu referuar edhe kushteve për përurimin e Xhamisë së Namazgjasë, apo investimeve të tjera.

“Pushteti i tanishëm i drejtuar nga z.Rama i ka këto marrëdhënie në nivel vasiliteti dhe kjo ka filluar që në fillim të herës kur vizitën e parë në 2013-ën e ka bërë në Stamboll. Turqia është sot një fuqi e konsiderueshme rajonale, ka politikat e saj, ka një politikë të rikthimit të Perandorisë neo-Otomane dhe rolin e Shqipërisë e quajnë të pazëvendësueshëm. Presidenti Erdogan dhe ministri i Jashtëm s’kanë pse të druhen, duke dhënë jo vetëm këshilla, por këto duken si urdhra, ndaj një qeverie që ka pranuar vetë të jetë e nënshtruar para dëshirave të Perandorisë. Qeveria shqiptare ka zgjedhur një rrugë të fshehtë. Shqipëria jo vetëm ka depërtuar gylenistë, por ka ngritur edhe monumente për dy mijë e ca veta që humbën jetën në një grusht shteti. Të gjitha këto politika si vasal të Turqisë, tregojnë mentalitetin dhe politikën e z.Rama.

Rama e mban Turqinë si një nga mundësitë për të mbajtur pushtetin e tij të pakufizuar. Ai e ka vendosur veten tashmë në një vasal të Erdoganit dhe e fsheh këtë, sepse ka frikë nga Europa, ka frikë nga Perëndimi, kërkon ta justifikojë këtë sikur është një ndërmjetës, ai ka një admirim të jashtëzakonshëm, duke e quajtur një mentor të tij Erdoganit dhe kërkon ta justifikojë para opinionit publik me faktin që Turqia është një vend i NATO-s. Z.Fidan ka qenë edhe shefi i shërbimeve sekrete për një kohë të gjatë, e njeh mirë kryeministri shqiptar. Ajo që më bën përshtypje është axhenda e ministrit të Jashtëm turk, ku axhenda e planifikuar në Bullgari dhe Rumani janë marrëdhëniet bilaterale. Vendet e tjera ballkanike me shumë dinjitet njihen si të barabarta.

Në shumë raste kërkesat që bën ministri turk janë kërkesat e përsëritura të Erdogan, që e tha edhe në Parlament, si një detyrë. Qeveria vërtet s’i është përgjigjur, por nga ana tjetër ka bashkëpunuar me forcat e sigurisë të Turqisë, në të ashtuquajturit ‘terroristë’. Objektet e kultit s’mund të ndërtohen me ndihmën e personaliteteve, që investojnë këto, sepse pasi i ndërtojnë këto vendosin kushte. Krijon lidhje ndëvarësie që janë të dëmshme. Ne s’mund të luajmë kur jemi në pushtet, duke krijuar atë klientelizmin që thotë ‘po’ për çdo gjë. Sepse gjithmonë e më shumë do rritet ndërvarësia”, tha Nesho.

I pyetur mbi lënien në fuqi nga Gjykata Kushtetuese të marrëveshjes Rama-Meloni, Nesho shprehet:

“Edhe kjo është një nga marrëveshjet e turpshme që ka bërë Shqipëria. Kjo s’ka të bëjë me një politikë fqinjësie të mirë. Kjo është një aferë politike mes kryeministrit shqiptar dhe kryeministres së Italisë. Bëhet për qëllime të pushtetit të tij personal, sepse Shqipëria s’përfiton asgjë. Në Shqipëri shteti është i kapur dhe s’mendojmë që organet e drejtësisë janë të pavarura. Gjykata Kushtetuese si në rastin e kërkesës së 1/5 të deputetëve të opozitës, ashtu edhe në marrëveshjen me Italinë për emigrantët, gjykimi i saj lë për të dëshiruar, dhe në një farë mënyre është shumë e lidhur me interesat e pushtetit dhe nuk guxon të shprehet kundër tyre”.

Advertisement