Connect with us

Shkrime

Netanyahu e quan veten Churchill, por historia mund ta kujtojë atë si Millosheviçi

Kjo analizë është përgatitur nga autori i Haaretz, Etan Nechin

Në korrik, ndërsa Izraeli ishte përfshirë nga protestat pas një tjetër armëpushimi të prishur dhe pengmarrjes në Gaza, kryeministri Benjamin Netanyahu ishte rrugës për t’iu drejtuar Kongresit Amerikan.

Vizita u prezantua jo vetëm si një shfaqje e forcës për Netanyahu-n, por edhe e kornizuar në terma historikë.

Ekspertët festuan arritjen e tij duke thyer rekordin e Winston Churchill, me më shumë ftesa për t’iu adresuar Kongresit.

Gjatë fjalimit, të katërtin e tij, Netanyahu citoi Churchill-in: “Na jepni mjetet dhe do ta përfundojmë punën”.

Kjo nuk ishte rastësore.

Netanyahu, si djali i një historiani, ka qenë gjithmonë thellësisht i shqetësuar me trashëgiminë dhe imazhin e tij për veten.

Ai shpesh ka bërë krahasime mes tij dhe Churchill-it: si kryeministër i kohës së luftës, autor, orator mjeshtëror dhe një mburojë kundër fashizmit.

Edhe pasi mbaroi fjalimin e tij në Kongres, Netanyahu u ndal pranë bustit të Churchill-it për të bërë një foto, për t’u siguruar që krahasimi të mos humbiste për askënd.

Fansave të tij në media u pëlqen të nxisin këtë analogji.

Vetëm javën e kaluar, drejtuesi i radios së krahut të djathtë, Naveh Dromi, mbajti një monolog katërminutësh duke krahasuar Netanyahu-n me Churchill-in, ndërsa pretendonte: “Churchill mundi nazistët me mbështetjen e SHBA-ve, Netanyahu eliminoi boshtin iranian pavarësisht SHBA-ve”.

Megjithatë, pas një viti luftimesh, fatalitetesh dhe shpërnguljesh, dhe me një urdhër-arresti ndaj tij, të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, trajektorja e Netanyahu-t përputhet më pak me Churchill-in dhe më shumë me atë të liderit serb Sllobodan Millosheviç.

Ashtu si me Netanyahu-n, në vitet e tij të hershme, Millosheviç nuk konsiderohej si një ekstremist.

E nisi si një funksionar komunist i i pavërejshëm.

Por, ashtu si Netanyahu, në mënyrë cinike ai mundësoi dhe fuqizoi lëvizjet ultra-nacionaliste në Serbi, duke shfrytëzuar ekstremizmin e tyre për qëllimet e tij.

Pakti që ai lidhi, duke besuar se mund të komandonte besnikërinë e tyre, u shpërbë pasi këto forca të pakontrollueshme u çliruan nga duart e tij, duke e zhytur kombin e tij drejt humnerës.

Si Netanyahu ashtu edhe Millosheviçi u larguan nga morali themelues i shteteve të tyre të pas Luftës së Dytë Botërore: në rastin e Izraelit, mamlachtiut, qeverisja për hir të të gjithë kombit dhe jo grupeve të interesit të veçantë, në rastin e Jugosllavisë, “vëllazëria dhe bashkimi”.

Ata njohën fuqinë që mund të çlirohej duke shfrytëzuar tensionet shoqërore për të përçarë dhe pushtuar, duke vënë grupet kundër njëri-tjetrit.

Millosheviçi fillimisht u distancua nga ekstremistët serbë, madje duke i dënuar publikisht veprimet e tyre.

Në vitin 1995, ai i tha ambasadorit britanik, Sir Ivor Roberts, “Nuk kam fare të bëj me ta. Unë u thashë këtyre të çmendurve se kjo mënyrë e lojtur sjelljeje e diskrediton popullin serb”.

Në mënyrë të ngjashme, Netanyahu dikur u zotua të mos bashkohej kurrë me provokatorin e ekstremit të djathtë Itamar Ben-Gvir ose me lëvizjen e kolonëve të ekstremit të djathtë, duke hedhur poshtë dhe dënuar pikëpamjet e tyre ekstremiste.

Ish-presidenti Reuven Rivlin zbuloi deklaratën e Netanyahu-t: “Jo vetëm që nuk do të sjell në qeveri njerëz që janë ndjekës të Kahane-s (një ideologji fetare sioniste – ed.), por as nuk do të fotografohem apo të shoqërohem me ta”.

Netanyahu deklaroi publikisht se Ben-Gvir nuk do të shërbente si ministër në qeverinë e tij dhe madje refuzoi të ndante të njëjtën skenë me të gjatë një ndalese zgjedhore.

Kur fati i tyre politik mori një kthesë, qëndrimi i tyre ndryshoi dhe formimi i një aleance me nacionalistët e dhunshëm u bë mënyra e tyre e vetme për të mbajtur pushtetin.

Netanyahu mbrojti vendimin e tij për të emëruar Ben-Gvir si ministër të sigurisë së brendshme duke i thënë NPR-së, “ai ka modifikuar shumë pikëpamje të tij”, duke shtuar: “Ata po bashkohen me mua. Unë nuk po i bashkohem atyre”.

Pas Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, Slobodan Millosheviç fillimisht fitoi njëfarë favori në Perëndim, por u përball me sfida të brendshme në rritje.

Partia e tij pësoi humbje të konsiderueshme në zgjedhjet e dëmtuara nga parregullsitë.

Si përgjigje, ai lëshoi ​​forcat që në fund kryen mizori në Kosovë – ngjarje që në fund provokuan ndërhyrjen dhe bombardimet e NATO-s.

Për Netanyahu-n, sapo problemet e tij ligjore u zmadhuan, ai iu drejtua së djathtës ekstreme, duke e vlerësuar hyrjen e tyre në politikën kryesore si pjesë e një koalicioni të mundshëm qeverisës dhe përfundimisht u pa duke buzëqeshur në një foto fushate me Ben-Gvir.

Të dy gjithashtu hoqën me mjeshtëri fajin nga administratat e tyre, duke e ridrejtuar atë drejt objektivave të tilla si media, disidentët, ligjvënësit, agjitatorët e jashtëm dhe myslimanët.

Pas fitores së tij të papritur pas vrasjes së Rabinit, Netanyahu u transformua menjëherë nga kreu i shtetit në një mbrojtës të vetëshpallur të identitetit hebre.

Komenti i tij famëkeq i një gafe (hot mic) drejtuar një rabini pushtetar – “E majta harroi se çfarë do të thotë të jesh hebre” – e bëri të qartë se ai nuk i dallonte milionat që mbështetën Oslo-n nga milionat që protestonin në rrugë, e lëre më arabët izraelitë, si pjesë e zonës së tij elektorale.

Për të, nuk është vetëm Izraeli kundër Hamasit, por mbështetësit e tij kundrejt shoqërisë liberale kryesore.

Nëse nacionalizmi i Netanyahu-t, si ai i Millosheviçit, buron nga bindjet e përzemërta apo nga oportunizmi i mallkuar, përbuzja e tij e vërtetë për palestinezët dhe arabët është e dukshme.

Ashtu si Millosheviçi, ai e percepton veten si një lider në ballë të një lufte kundër Islamit, duke e pozicionuar veten si një mbrojtës i “Perëndimit”.

Ashtu si Netanyahu, Millosheviçi i justifikoi veprimet e tij si mbrojtjen e Evropës nga “hordhitë” myslimane.

Ngjashëm me Millosheviçin, Netanyahu ka zotëruar artin e manipulimit të realitetit për mbështetësit e tij, duke i shndërruar humbjet në fitore të perceptuara.

Pavarësisht luftërave që ka humbur, ai ka arritur të mbijetojë politikisht duke i riformuluar dështimet si triumf.

Ashtu si Millosheviçi e ktheu humbjen e Kosovës në një fitore ndaj Perëndimit – duke theksuar se Kosova teknikisht mbeti pjesë e Jugosllavisë në vitin 1999 ndërsa de facto humbi kontrollin – Netanyahu ka përdorur taktika të ngjashme.

Ai ka theksuar veprimet si vrasja e Sinwar dhe Nasrallah, operacionet bombarduese në Iran dhe veprime të tjera ushtarake për të anashkaluar katastrofën e 7 tetorit dhe vitin pasues të bombardimeve dhe shpërnguljeve si dhe kthimin e Izraelit në një shtet a pariah (një komb që konsiderohet si i dëbuar nga komuniteti ndërkombëtar – ed.).

Gjatë sundimit të Millosheviçit, publiku serb u ushqye me një rrjedhë të qëndrueshme të narrativave mediatike rreth sukseseve ushtarake dhe kërcënimit të supozuar të paraqitur nga myslimanët.

Çdo kritikë e luftës ose pranimi i mizorive u hesht sipas ligjeve të rrepta. Ato u hodhën poshtë si jopatriotike, demoralizuese ose tradhtare.

Ato pak media që guxuan ta kritikonin u mbyllën, madje edhe redaktorët u vunë në shënjestër.

Përpjekja e Netanyahu-t për të riformuar median izraelite, së bashku me sulmet e tij ndaj gazetarëve dhe mediave kritike, pasqyron një besim – njëjtë si ai i Millosheviçit – se kontrolli i narrativës është thelbësor për ruajtjen e pushtetit, edhe nëse kjo nënkupton shkatërrimin e shtypit të lirë për të heshtur zërat kundërshtarë dhe shqyrtimin e besueshëm.

Aq sa, të dy liderët kultivuan nacionalizëm brutal, regjimet e tyre u karakterizuan/janë gjithashtu të shënuara nga nepotizmi dhe korrupsioni.

Gruaja e Sllobodanit, Mira Marcoviç – sociologe, funksionare qartësisht e vetëshpallur – shihej si një forcë shtytëse pas politikave të tyre të vijës së ashpër dhe rezistencës ndaj lëshimeve, si Sara Netanyahu sot.

Po kështu, djemtë e tyre, Yair dhe Marko, u kritikuan si të privilegjuar, duke mishëruar polemika dhe shkëputje ndërsa përfitonin nga pushteti i baballarëve të tyre.

Marko shfrytëzoi një mënyrë jetese luksoze, shmangu shërbimin ushtarak dhe hapi Bambiland, një park argëtimi serb gjatë bombardimeve të NATO-s, ku do të parakalonte me uniformë.

Është e vështirë të mos tërheqësh paralele me Yair Netanyahu-n, i cili bridhte në Miami, duke nxitur kundër ushtrisë dhe duke u rreshtuar kah reaksionarëve amerikanë të ekstremit të djathtë, në vend që të jetonte në Izrael.

Por ndoshta mësimi më i rëndësishëm është se një urdhër-arresti nga ICC-ja nuk është një pilulë magjike që do të rrëzojë demagogët populistë.

Rënia e Millosheviçit nuk erdhi si rezultat i drejtpërdrejtë i urdhër-arrestit të lëshuar në vitin 1999, por u nxit nga qëndrueshmëria e popullit serb dhe një opozitë e bashkuar që u shfaq pas vitesh vështirësish dhe protestash.

Të fortët pa rrugëdalje, janë të rrezikshëm.

Me rritjen e protestave, Millosheviçi u bë paranojak dhe fajësoi gjeneralët për lëshimet dhe humbjet.

Siç shkroi Misha Glenny në vitin 1998 në London Review of Books, “dyshimi në rritje i Millosheviçit për ushtrinë e ka bërë atë të mbështetet te grupi i tij personal – forca policore jashtëzakonisht e zgjeruar që përfshin 60-70 mijë burra të mirë-armatosur dhe të mirë-paguar”.

Netanyahu nuk kishte nevojë të paguante për kontrollin e policisë.

Në vend të kësaj, ai emëroi Ben-Gvir, një ish-shënjestër e Shin Bet, për t’i mbikëqyrur ata.

Nën autoritetin e Ben-Gvir, policia është bërë një krah i qeverisë, një milici de facto e rreshtuar me të djathtën ekstreme, duke rrahur familjet e pengjeve, duke arrestuar protestues kundër luftës, duke fortifikuar rezidencën e Netanyahu-t dhe duke shpërndarë armë përmes ministrisë pa mbikëqyrjen e duhur.

Pasi ICC-ja lëshoi ​​urdhër-arrest kundër tij, Millosheviç deklaroi: “Unë nuk e njoh gjykatën. Është një mekanizëm politik i krijuar për të asgjësuar popullin serb”.

Në mënyrë të ngjashme, Netanyahu ka shkrirë identitetin e tij personal me atë të Izraelit, duke inkuadruar kritikat për veprimet e tij si një sulm ndaj vetë kombit dhe popullit hebre.

“Vendimi antisemitik i Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë nuk është asgjë më pak se një gjyq modern i Dreyfus-it. Izraeli kundërshton legjitimitetin e këtij vendimi”, tha kryeministri në një video-fjalim.

Netanyahu, me një frymë të vetme, shndërrohet nga mosbindja Churchilliane në britmën e pafuqishme të një viktime të përndjekur.

Edhe pas urdhër-arrestit, Millosheviç u kap pas pushtetit dhe kandidoi për rizgjedhje.

Megjithatë, rezistenca e udhëhequr nga të rinjtë fitoi vrull dhe uniteti eventual i opozitës rreth një kandidati të vetëm shkaktoi përpjekjet e Millosheviçit për të sabotuar zgjedhjet, duke shkaktuar zemërim mbarëkombëtar.

Mijëra u mblodhën në Beograd, duke duruar rezistencën e policisë derisa forcat e armatosura filluan të dezertojnë.

Një grevë e përgjithshme, e mbështetur nga sindikatat kryesore dhe e inkurajuar nga të larguarit si kryetari i bashkisë së Beogradit, çoi në Revolucionin e Buldozerit.

Përballë humbjes, Millosheviçi më në fund pranoi, megjithëse u përqendrua në një ankesë të vogël: shtëpia e djalit të tij Marko u plaçkit.

Pas humbjes së Millosheviçit, Marko u largua drejt Rusisë me nënën e tij, Mira, e cila më vonë tha: “Asgjë nuk kishte më rëndësi”.

Kjo i bën jehonë komentit të supozuar të Sara Netanyahu pas humbjes së Benjamin Netanyahu në 1999: “Pse duhet të përpiqemi? Le të ikim dhe ta lëmë vendin të digjet”.

Edhe pas humbjes së Millosheviçit, udhëheqësi i ri, Vojislav Koshtunica, hezitoi t’ia dorëzonte Millosheviçin Hagës, duke përmendur shqetësimet se gjykata u shfaq “selektive në zgjedhjen e rasteve që i shërbejnë nocionit të saj të drejtësisë”.

Pika e kthesës për arrestimin e tij, u bë korrupsioni, konkretisht mashtrimi prej 300 milionë dollarësh që i bëri Millosheviçi, thesarit të shtetit.

Një paralele shfaqet në gjyqin penal të Benjamin Netanyahu-t, ku akuzat për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit hedhin hije mbi udhëheqjen e tij.

Të dyja rastet ilustrojnë kryqëzimin e rrezikshëm midis përpjekjes për mbijetesë politike dhe gatishmërisë për të rrezikuar popullsinë e vendit dhe për të çmontuar institucionet e tij në një përpjekje të dëshpëruar për të mbajtur pushtetin.

Kur ai përfundimisht humbi pushtetin dhe u dërgua në Hagë, shumë serbë u tronditën.

Ata besonin se rënia e tij vinte nga betejat ekonomike dhe sanksionet ndërkombëtare dhe jo nga krimet e luftës që ai orkestroi.

Në mënyrë të ngjashme, nën udhëheqjen e Netanyahu-t, politikanët izraelitë i kanë cilësuar vuajtjet në Gaza si një çmim të domosdoshëm për sigurinë kombëtare, duke portretizuar bllokadën, sulmet ushtarake dhe krizat humanitare si të pashmangshme.

Kritika shpesh hidhet poshtë si anti-izraelite, demoralizuese ose e nxitur nga agjenda të fshehura politike.

Ashtu si në Serbi, kjo narrativë mbron publikun nga përballja me kulturën e mohimit dhe indiferencës që propagandohet jo vetëm nga qeveria, por nga politikanët kryesorë më gjerësisht.

Disa argumentojnë se urdhër-arrestet e ICC-së janë të pakuptimta, sepse ato nuk mund të zbatohen, por ideja që Netanyahu mund të arrestohet në Londër e keqkupton çështjen.

Kështu ka qenë gjithmonë për shoqërinë izraelite.

Ashtu si në Serbi dhe gjetkë, i takon popullit ta dëbojë atë nga pushteti, jo gjykatave të jashtme.

Serbët e bënë këtë duke e shpotitur me votë.

ICC-ja duhet të sigurojë vrullin moral dhe politik që kjo të ndodhë edhe në Izrael.

Urdhri është një kujtesë se mbështetja e Izraelit nuk është e barabartë me mbështetjen e Netanyahu-t; në fakt të kërkon që ta kundërshtosh atë.

Advertisement