Bota
Netanyahu ndez ferrin mbi Iran/ Mbi 20 komandantë të lartë iranianë të vrarë nga sulmet izraelite

Të paktën 20 komandantë të lartë iranianë, përfshirë Komandantin e Forcave Hapësinore të IRGC-së, Amir Ali Hajizadeh, u vranë në sulmet e Izraelit ndaj Iranit të premten, thanë dy burime rajonale për Reuters.
Ndërkohë, televizioni shtetëror i Iranit raporton një sulm të ri izraelit ndaj objektit bërthamor të Natanzit dhe një zjarr në aeroportin e Tabrizit.
Pavarësisht se Izraeli pretendon se shkaktoi dëme të konsiderueshme në Natanz, duke përfshirë shkatërrimin e një objekti nëntokësor centrifuge, Irani pretendon se pjesa më e madhe e dëmit në uzinën e pasurimit është vetëm “në sipërfaqe”.
Izraeli ka nisur një sulm ndaj Iranit që synon “dhjetëra” objektiva, përfshirë objektet e tij bërthamore.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se sulmi, i quajtur Rising Lion, do të zgjaste “shumë ditë” dhe kishte për qëllim “zvogëlimin e kërcënimit iranian ndaj mbijetesës së Izraelit”.
Ai sugjeroi se operacioni mund të jetë i gjatë dhe i vështirë, duke thënë se “qytetarët izraelitë mund të duhet të qëndrojnë në zona të mbrojtura për periudha të gjata kohore”.
Netanyahu tha se një objektiv ishte objekti bërthamor Natanz, një vend kyç për pasurimin e uraniumit.
Një zëdhënës ushtarak izraelit i tha Reuters se 100 dronë po shkonin drejt Izraelit dhe përpjekjet për t’i rrëzuar ato ishin duke u zhvilluar.
“Na presin disa orë të vështira”, tha zëdhënësi. Ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, njoftoi një “situatë të veçantë” në Izrael pasi vendi nisi sulmet dhe tha se Izraeli priste hakmarrje.
Aeroporti Ben Gurion i Tel Avivit u mbyll deri në njoftim të mëtejshëm dhe njësitë e mbrojtjes ajrore të Izraelit qëndruan në gatishmëri të lartë.
Komandanti i Gardës Revolucionare, Hossein Salami, është vrarë në sulme dhe selia e njësisë në Teheran është goditur.
Garda Revolucionare tha se Izraeli do të paguajë një çmim të lartë për sulmin e saj.
Sulmet izraelite vranë gjithashtu gjeneralin Mohammad Bagheri, shefin e shtabit të forcave të armatosura të Iranit, sipas raportimeve të televizionit shtetëror iranian.

