Connect with us

Bota

Netanyahu në panik/ Ushtria sulmohet nga qytetarët , mbledhje urgjente e sigurisë!

Ushtria izraelite njoftoi këtë të hënë se një grup kolonësh hebrenj sulmuan forcat izraelite të sigurisë dhe vandalizuan mjete ushtarake si dhe instalime sigurie brenda dhe jashtë një baze ushtarake në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Sipas raportimeve nga mediat izraelite, objektivi kryesor i sulmit ishte komandanti i bazës së Brigadës Rajonale Binjamin. Kolonët e quajtën atë “tradhtar”, pasi ai kishte qenë ndër ushtarët që tentuan të ndalonin hyrjen e tyre në një zonë të mbyllur ushtarake pranë fshatit palestinez Kafr Malik, ku më herët ishin vrarë të paktën tre palestinezë pas një sulmi nga kolonët.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu reagoi me tone të ashpra ndaj incidentit, duke e cilësuar si një akt “të dhunshëm dhe anarkik”. Ai theksoi se “asnjë shtet nuk mund të pranojë zjarrvënie ndaj bazave ushtarake, shkatërrim të pronës së ushtrisë apo sulme kundër personelit të sigurisë nga qytetarët e vet”.

Netanyahu kërkoi hetim të plotë dhe ndjekje penale për personat përgjegjës, të cilët i përshkroi si një “pakicë e dhunshme”. Ai mbrojti pjesën më të madhe të komunitetit të kolonëve, duke e cilësuar si “shembull për vendin”.

Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, ka thirrur një mbledhje urgjente me agjencitë e sigurisë për të diskutuar incidentin. Ai shprehu mirënjohje për punën e ushtrisë që nga shpërthimi i luftës në Gaza dhe theksoi se Qeveria nuk do të lejojë që grupe të dhunshme të dëmtojnë forcat e saj të sigurisë.

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë paralajmëruar për rritjen e dhunës nga ana e kolonëve në Bregun Perëndimor dhe për mungesën e masave ndëshkuese ndaj tyre.

Që nga nisja e lutës në Gaza, më 7 tetor 2023 pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit situata në Bregun Perëndimor është përshkallëzuar ndjeshëm, duke shënuar një rritje të incidenteve të dhunshme në këtë zonë të tensionuar.

Advertisement