Connect with us

Kosova

Nga Amerika ngrihet alarmi për sulme të tjera terroriste në Kosovë

Profesori i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, trazirat në veri të Kosovës nuk filluan më 24 shtator dhe nuk mbarojnë aty. Dhe teksa situata e sigurisë është më e qetë, ajo mbetet delicate. Kohë pas kohe policia e Kosovës gjen armë, ndërsa merret me pastrimin e terrenit në masë të madhe dhe hetimet për ngjarjen e Banjskës.

“Një raport hetimor preliminar prej 51 faqesh nga Republika e Kosovës tashmë po qarkullon në qeverinë amerikane. Sipas konkluzioneve të tij, sulmi terrorist përfshin shtetin serb që sipas zinxhirit komandues janë fajtorë ligjërisht dhe moralisht”

Sipas Serwer, qëllimi i Beogradit ishte të nxiste një përgjigje të policisë së Kosovës, që mund të përdorej për të justifikuar një ndërhyrje ushtarake serbe, gjoja për të shpëtuar qytetarët serbë të rrezikua dhe pelegrinët nga Serbia.

“Plani përfshinte sfidimin, kërcënimin dhe vrasjen e mundshme të anëtarëve të KFOR-it si dhe të policisë së Kosovës dhe tani ekziston rreziku i përsëritjes, siç dëshmohet nga qëndrimi i vazhdueshëm sulmues i forcave serbe të sigurisë që rrethojnë Kosovën, si dhe nga fushata intensive e propagandës pro pushtimit që vazhdon ende brenda Serbisë”

Duke folur rreth hetimeve, profesori amerikan ka dhënë disa detaje. Ai tha se Forcat e Armatosura Serbe trajnuan autorët paraushtarakë përgjatë dy viteve. Autoritetet e Kosovës kanë tani në duar plane të detajuara bazuar në hartat e furnizuara nga ushtria për paraushtarakët për të hapur rrugët në Kosovë për armë dhe furnizime nga Serbia.

“Serbia vazhdon të promovojë dhunën kundër Kosovës Që nga 24 shtatori, Serbia ka vazhduar të kërcënojë. Forcat e armatosura serbe janë ende në gatishmëri të lartë. Presidenti Vuçiç dhe mediat që ai kontrollon përdorin gjuhën e urrejtjes duke iu referuar Kosovës, liderëve të saj politikë dhe shqiptarëve në përgjithësi. Ambiciet për të krijuar “botën serbe”, një kopje e zbehtë e “botës ruse” të Putinit që përfshin Ukrainën, janë të përhapura. Serbia ka rritur në mënyrë dramatike stërvitjet e saj ushtarake me Rusinë. Frikësimi i serbëve në veri të Kosovës nga Beogradi për të parandaluar bashkëpunimin me Prishtinën vazhdon, ashtu si edhe operacionet e fshehta kundër institucioneve të Kosovës”

Sipas Daniel Serwer, sulmi terrorist nuk ka filluar më 24 shtator dhe nuk do të mbarojë aty, sepse sipas tij mos ndërmarrja e veprimeve diplomatike kundër Beogradit do ta inkurajojnë Vuçiçin për përpjekjet e ardhshme.

“Asnjë nga autorët e agresionit nuk është kthyer në Kosovë për t’u përballur me akuzat. Ata janë strehuar nga shteti serb dhe mbeten në dispozicion për të kryer operacione të dhunshme në të ardhmen. Deri më tani, nuk ka pasur asnjë veprim diplomatik të ndërmarrë kundër Beogradit, as nga SHBA-ja dhe as nga BE-ja, dhe që do ta inkurajojnë Vuçiçin të vazhdojë përpjekjet e ardhshme destabilizuese për të justifikuar ndërhyrjen ushtarake serbe në Kosovë. Roli i saktë rus në komplotin e 24 shtatorit është ende i paqartë, por mbështetja ruse për përshkallëzimin e përpjekjeve serbe për të sfiduar vendosmërinë perëndimore në Ballkan është e dukshme”

Advertisement